Berisha: PD do kërkojë përgjysmim të ngarkesës fiskale mbi naftën, hetim për Autoritetin e Konkurrencës

TIRANË, 3 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot se çmimi i naftës në Shqipëri është më i larti në Evropë dhe në botë kur matet me fuqinë blerëse të qytetarëve.
Gjatë një takimi të zhvilluar sot me eskpertë për çështjen e karburanteve, ai theksoi se kostoja e naftës rëndon ndjeshëm mbi ekonominë dhe buxhetin familjar, duke ndikuar drejtpërdrejt në çmimet e transportit, bujqësisë dhe produkteve ushqimore.
Në fjalën e tij, Berisha kundërshtoi edhe nismën e qeverisë për të ndërhyrë në tregun e naftës përmes një ndërmarrjeje shtetërore, teksa shtoi se një ndërhyrje e tillë do të përkeqësonte situatën dhe do të rriste rrezikun e abuzimeve.
Berisha tha se PD do të kërkojë përgjysmim e ngarkesës fiskale mbi naftën dhe hetim për Autoritetin e Konkurrencës, të cilin e akuzoi për dështim në mbikëqyrjen e tregut.
“Situatë e vështirë. Konflikti në Lindjen e Mesme solli njëlloj si Covid-i, krizën. Sa do vazhdojë? Askush nuk mund ta përcaktojë, por Lindja e Mesme është rajoni me ndikim madhor në energjinë e botës, kjo është e sigurt, çka do të thotë se rritja e çmimit të energjisë do mbetet edhe për një kohë të pacaktuar. Ndaj dhe ndërhyrja është një emergjencë”, u shpreh Berisha.
Sipas tij, PD qëndron e vendosur në hapin e parë përgjysmimin e ngarkesës fiskale.
“Ne duhet të zbresim tek ngarkesa fiskale, të cilat garantojnë çmime të përafërta, por më të ulëta se sa në vendet e tjera përreth që nuk kanë një litër naftë dhe që nuk paguajnë transportin nga Durrësi në Prishtinë apo nga Durrësi në Tetovë. Nafta pra qëndron si ndëshkim me taksat e saj mbi pensionistët në tërësi, mbi të gjithë qytetarët me rritjen e çmimeve të konsumit”, u shpreh Berisha.
Berisha njoftoi se Partia Demokratike do të paraqesë amendamente dhe ligje në Kuvend për të adresuar situatën.
/m.q/j.p/