Berisha: PD mbështet fuqishëm protestën e rinisë dhe qytetarëve, ftoj çdo demokrat dhe mbështetës që t’i bashkohet asaj

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shprehur mbështetjen e plotë për protestën e rinisë dhe qytetarëve në Tiranë, duke e cilësuar atë si një lëvizje masive kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Në një deklaratë për mediat, Berisha u bëri thirrje të gjithë demokratëve dhe mbështetësve të PD-së që t’i bashkohen protestës, duke theksuar se ajo tashmë ka tejkaluar kufijtë e përkatësive politike.
“Jam këtu për të shprehur edhe njëherë mbështetjen më të fuqishme të PD-së për protestën madhështore të rinisë dhe qytetarëve të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë. Kjo protestë është shndërruar në një uragan të fuqishëm kundër regjimit të Edi Ramës”, deklaroi Berisha.
Sipas kreut të opozitës, protestat po zhvillohen si reagim ndaj asaj që ai e cilësoi si një regjim të mbështetur te “farsa zgjedhore, krimi, droga dhe vjedhja e shqiptarëve”.
Berisha tha se Tirana nuk ka njohur më parë protesta me përmasa të tilla, duke i cilësuar ato si më masivet dhe më të qëndrueshmet në historinë e kryeqytetit.
Ai theksoi se kërkesat e protestuesve lidhen me kundërshtimin e disa ligjeve që, sipas opozitës, bien ndesh me Kushtetutën dhe direktivat e Bashkimit Evropian, duke kujtuar se deputetët e PD-së i kanë kundërshtuar ato si në Kuvend ashtu edhe në Gjykatën Kushtetuese.
Në fund të deklaratës së tij, Berisha pretendoi se protesta ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare dhe është pasqyruar gjerësisht nga agjenci dhe televizione të njohura në botë.
“Çdo demokrat, çdo mbështetës i PD-së, por edhe çdo qytetar i Shqipërisë ka motive të forta për ta mbështetur këtë protestë”, u shpreh ai.