E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama sulmon protestën për Zvërnecin: “Po manipuloheni, largojuni hienave që ushqehen me gënjeshtra”

Kryeministri Edi Rama ka shfrytëzuar festën e 35-vjetorit të Partisë Socialiste për t’iu përgjigjur protestave kundër projektit turistik në Zvërnec, duke akuzuar kundërshtarët se po përhapin dezinformim dhe po manipulojnë qytetarët.

Në fjalën e tij para socialistëve të mbledhur në sheshin “Italia”, Rama tha se protesta ka marrë tashmë natyrë politike dhe se shumë prej qytetarëve janë nxitur nga informacione të rreme të shpërndara në rrjetet sociale.

“Po të isha një qytetar që informohet vetëm nga rrjetet sociale, edhe unë do të isha llahtarisur nga ai apokalips dixhital me pelikanë të ngordhur, gradaçela mbi lagunë dhe skenarë katastrofikë”, deklaroi kryeministri.

Rama këmbënguli se projekti në Zvërnec është një investim strategjik për zhvillimin ekonomik të vendit dhe jo një kërcënim për mjedisin, siç pretendojnë protestuesit.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që kundërshtojnë projektin të verifikojnë faktet dhe të mos bien pre e atyre që, sipas tij, “ushqehen me urrejtje dhe hipokrizi”.

“Largojuni hienave, sepse ju jeni të parët që do të mbyteni në jargët e asaj urrejtjeje. Nëse doni të mbroni vërtet Shqipërinë, bashkohuni me ne për ta bërë më të mirë”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë mohoi gjithashtu pretendimet se qeveria ka ndryshuar ligjin për zonat e mbrojtura për t’i hapur rrugë investimit në Zvërnec, duke e cilësuar këtë si një “rrenë të përsëritur në mënyrë të përbindshme”.

Sipas Ramës, investimi i planifikuar nuk është “një biznes i zakonshëm në bregdet”, por një projekt që synon ta kthejë Zvërnecin në një nga destinacionet më të rëndësishme turistike të Mesdheut.

Deklaratat e kryeministrit vijnë në një kohë kur protestat kundër projektit në Zvërnec vijojnë prej ditësh, ndërsa përplasja mes qeverisë dhe kundërshtarëve të investimit është kthyer në një nga debatet më të nxehta politike dhe publike në vend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›