Berisha: PD nuk tërhiqet nga protesta, përgatitje për zgjedhjet lokale - ATSH -
TIRANË, 3 nëntor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se opozita nuk do të tërhiqet nga protestat, ndërsa kërkoi mobilizimin e strukturave të partisë dhe vijimin e përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme lokale.
Gjatë një takimi të zhvilluar sot në selinë e PD-së me grupet e punës së qarkut Tiranë, Berisha diskutoi për vijimin e aksionit opozitar, organizimin e protestave dhe forcimin e strukturave në terren.
Ai theksoi se energjia e krijuar nga mobilizimi qytetar, veçanërisht angazhimi i të rinjve, duhet të shndërrohet në një forcë të qëndrueshme politike.
“Shpërthimi rinor të mos shkojë dëm. Ne nuk heqim dorë nga protesta, pasi protesta është pjesë e jona”, u shpreh Berisha, duke kërkuar vijimin e mobilizimit të strukturave të Partisë Demokratike.
Kreu i PD-së deklaroi se objektivi i opozitës mbetet përballja me qeverisjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimi i kushteve për ndryshim politik. Në këtë kuadër, ai e cilësoi protestën si një instrument të presionit qytetar dhe politik.
Berisha kërkoi gjithashtu që strukturat e partisë të nisin përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme lokale, duke theksuar se organizimi në terren duhet të ecë paralelisht me aksionin opozitar.
Një tjetër çështje e diskutuar ishte bashkimi i faktorëve politikë dhe shoqërorë kundër qeverisë. “Shpresojmë të ngremë një front të përbashkët në interes të vendit”, deklaroi Berisha.
Takimi me grupet e punës së qarkut Tiranë u zhvillua në kuadër të angazhimit të Partisë Demokratike për forcimin e strukturave, zgjerimin e mobilizimit qytetar dhe koordinimin e aksionit opozitar.
/gj.m/j.p/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
