E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha: PD po bën gati aktpadinë për “Albanian Files”

TIRANË, 7 korrik /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot se gjatë qeverisjes së tij ishte hartuar një projekt i detajuar nga një kompani britanike për zhvillimin e bregdetit shqiptar, i cili sipas tij do të kishte parandaluar dëmtimet mjedisore dhe ndërtimet pa kriter.

Në një konferencë për gazetarët, Berisha tha se kompania kishte identifikuar zonat ku nuk duhej të ndërtohej, ndërsa zhvillimi i mëtejshëm i bregut ishte parashikuar t’u lihej autoriteteve vendore.

“Dhe në qoftë se do zbatohej projekti i kësaj kompanie, shqiptarët do kishin sot një breg krejt tjetër. Nuk do ishte asnjë nga batërditë dhe krimet e tmerrshme mjedisore të kryera në bregun e detit në Shqipëri”, tha ai duke shtuar se plani u tërhoq nga kryeministri Rama.

Berisha komentoi gjithashtu dërgimin në SPAK të të ashtuquajturit librit “The Albanian Files” nga protestuesit, duke e cilësuar atë si “dosjen më kriminale të 35 viteve të fundit”. Ai bëri të ditur se Partia Demokratike po e shqyrton materialin dhe do të depozitojë një aktpadi të re në Prokurorinë e Posaçme.

“Ky libër përbën dosjen më kriminale në historinë e Shqipërisë të 35 viteve të fundit. Përshëndes dërgimin e tij në SPAK nga përfaqësues të protestës. I garantoj se PD po e studion dhe do paraqesë aktpadinë tjetër po për këtë libër në SPAK. Dhe kjo edhe njëherë për ne konsiderohet dosja më kriminale”, tha ai.

Sipas Berishës, projektet dhe lejet e ndërtimit të përfshira në librin “Albanian Files” janë “të porositura, të orientuara dhe të miratuara nga Edi Rama”.

Ai tha se Kryeministri se ka vendosur nën kontroll zhvillimin e territorit dhe se Shqipëria është shndërruar në një vend ku ndërtimet dhe projektet përdoren për interesa kriminale dhe pastrim parash.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›