Berisha: PPE do të dërgojë një mision faktmbledhës në Shqipëri

TIRANË, 3 qershor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se Partitë Popullore Europiane do të dërgojnë një mision faktmbledhës në Shqipëri.
“Kjo ishte një ditë intensive takimesh të shumta me personalitete që kanë fokus dhe interesa direkt për zhvillimet në rajonin tonë dhe në Shqipëri. Dhe paraqitëm para tyre të gjithë shëmtinë e farsës elektorale të 11 Majit…”, tha Berisha në një prononcim për mediat.
Së dyti, shtoi Berisha, “gjeti mirëkuptim të plotë kërkesa jonë për dërgimin e misioni faktmbledhës pasi Shqipëria paraqet një rrezik madhor. Krimi shqiptar, kartelet e drogës të Shqipërisë paraqesin një rrezik madhor, jo vetëm për liritë dhe të drejtat e shqiptarëve, për votën e tyre, por për rajonin dhe Europën si eksportues kryesor të drogave të forta që vijnë nga Lindja dhe nga Amerika Latine”.
“Shqiptarët duhet ta dinë se në këtë takim shumë të rëndësishëm, lidhur me kërkesat tona dhe farsën elektorale në Shqipëri, u shpreh presidenti i PPE, Manfred Veber, sekretarja Dolores Montserrat dhe diskutantë të tjerë, sekretari ekzekutiv i CDI, Antonio Isturiz Lopez. Përveç këtyre, ne zhvilluam një seri takimesh me përfaqësues të partive kryesore, anëtare të PPE dhe programuam me ta bashkëveprime të përbashkëta për suksesin e përpjekjes sonë në luftën pa kompromis kundër narkoshtetit shqiptar”, tha kreu i PD.
I pyetur se për çfarë i vendosi në dijeni përfaqësuesit e PPE, Berisha tha se, “ne paraqitëm dokumente tek përfaqësuesit kryesorë, dhe vazhdojmë të paraqesim dokumente. Ne gjithçka e kemi të bazuar në dokumente zyrtare të pakundërshtueshme”, tha Berisha.
Berisha theksoi se, “Partia Popullore Europiane është mbështetësja më e fuqishme si institucion ndërkombëtar i PD dhe këtë ajo e dëshmoi me rezolutën e Valencias, me të cilën 10 ditë para se të zhvillohen zgjedhjet, farsa elektorale e 11 Majit u dënua në të gjitha aspektet. Dhe këtu i referuan edhe rezolutës së Valencias. Pra, farsa elektorale ishte e paralajmëruar nga rezoluta e Valencias”.
Natyrisht, shtoi ai, “kjo është një betejë që vazhdon dhe ne në betejën tonë kundër narkoshtetit do mobilizojmë të gjithë potencialet që PPE disponon.
I pyetur nëse pret një tjetër rezolutë të miratohet nga PPE pas 11 Majit, Berisha tha se, “ne nuk paraqitëm këtu rezolutë pasi rezoluta ishte miratuar më 30 prill me të gjithë problemet që u konstatuan në zgjedhjet”.
“Por deklarata e presidentit të Partisë Popullore Europiane, sekretarit të përgjithshme të saj dhe të pranishmëve këtu ishin deklarata shumë të hidhura për narkoregjimin e Tiranës dhe mbështetje të plota për PD-në dhe popullin opozitar që votoi në kushte terrori dhe në kushte dhune të gjithanshme me 11 Maj”, theksoi Berisha.
/a.f/