Berisha: Paketa fiskale e Ramës është goditje e rëndë për më të varfrit, për bizneset e vogla dhe shtresën e mesme. Dyfishimi i taksës së dividentit do ketë pasoja të rënda për investimet e huaja

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se paketa e re fiskale rëndon drejtpërdrejt qytetarët dhe ekonominë shqiptare.
Në një deklaratë për mediat, Berisha u shpreh se ndryshimet në sistemin e taksave godasin veçanërisht shtresat në nevojë, bizneset e vogla dhe shtresën e mesme. Ai paralajmëroi se përfshirja e rreth 18 mijë bizneseve të vogla në skemën e TVSH-së mund t’i çojë ato drejt falimentimit, ndërsa rritja e kostove do të reflektohet te çmimet për konsumatorët. Sipas tij, aplikimi i TVSH-së prej 21% për profesionet e lira do të shtrenjtojë shërbimet dhe do të rëndojë qytetarët.
Berisha kritikoi gjithashtu dyfishimin e taksës së dividendit nga 8% në 15%, duke pretenduar se kjo masë do të dekurajojë investimet e huaja në Shqipëri. Kreu i PD-së e cilësoi paketën fiskale si një barrë shtesë për ekonominë dhe akuzoi qeverinë se po përdor modelin e taksave të vendeve nordike pa ofruar të njëjtin nivel shërbimesh dhe mbështetjeje sociale.
Pjesë nga fjala e kreut të PD-së Sali Berisha
Në kulmin e kësaj krize, Edi Rama ndërmori në mënyrën më të papërgjegjshme një akt në pabesi të plotë rritje gjer në dyfishim të taksave mbi shqiptarët pa asnjë paralajmërim, pa asnjë konsultim.
Bazuar në një mashtrim të madh, ai informoi shqiptarët se me këto rritje taksash buxheti do arrijë në 10 miliardë.
Unë u them shqiptarëve se sipas KLSH, buxheti që vidhet dhe zhduket 90 përqind, kjo do të thotë më shumë vjedhje nga qeveritarët dhe varfërim më të madh për shqiptarët.
Por në qoftë se ndalemi në këtë paketë, paketa është një goditje e rëndë për këto tre kategori, për më të varfrit, për bizneset e vogla, për shtresën e mesme.
Është një goditje e rëndë për më të varfrit sepse paketa që në aparencë do të ulë çmimet e ushqimeve bazë, në të vërtetë duke futur në fashën e TVSH të gjithë dyqanet, i detyron ato të rrisin me 6 përqind çmimet, i detyron shqiptarët të paguajnë 6 përqind më shumë se ç’paguajnë tani.
Dhe ky është një akt shumë i papërgjegjshëm.
Në qoftë se Edi Rama donte të lehtësonte vërtet qytetarët nga taksat e ushqimeve, të vendoste mekanizmin e kompensimit të plotë të çdo kilogrami, të çdo grami që blihet në dyqane në kuadrin e 52 mallrave që ka shpallur se iu ul TVSH-në.
Së dyti prek prapë më të varfrit sepse në qoftë se uli TVSH për 52 mallra, e rriti TVSH për 5 mijë mallra të tjera, të cilat çdo ditë e më shumë bëhen mallra të ndaluara për të varfrit e këtij vendi.
Së treti, shqiptarët, analistët, por edhe ekspertët e huaj kanë konstatuar një paradoks, rritjen më të madhe të çmimeve në Shqipëri se sa në çdo vend tjetër, rritje e cila në studim tregon se është në përpjesëtim të zhdrejtë me rritjen e pagave. Pagat rriten, por më shumë rriten çmimet.
Çfarë ndodh?
Sigurisht që kjo ka shumë shkaqe, por shkak ndër më kryesorët janë droga, paratë e drogës.
Banka e Shqipërisë për të mbrojtur jo lekun, po euron, e cila zhvlerësohet në mënyrë katastrofale me zhvlerësimin më të lartë në botë sipas EUROSTAT, pret kartëmonedha, lekë dhe i hedh ato në treg me tonelata.
Për shembull ka hedhur gjatë këtij viti 90 miliardë dhe ka blerë 1 miliard euro.
Po kjo para në qarkullim, e cila nuk diktohet aspak nga prodhimi, por diktohet nga narkoeuro, këto rrisin inflacionin në vetvete.
Dhe këtu çmimin e paguajnë më të varfrit e vendit. Po nuk janë pak, janë mbi 700 mijë pensionistë, nga të cilët 460 mijë janë me pensione të pjesshme.
Janë mbi 49 përqind e popullatës në rrezik varfërie.
Janë një përqindje e lartë që jetojnë në varfëri absolute.
Pra, në çdo lëvizje dhe rrethanë, ai që ndëshkohet është i varfri.
Çmimin e paketës fiskale të Edi Ramës e paguan biznesi i vogël. Me hyrjen e saj në fuqi, rreth 18 mijë biznese të vogla shkojnë drejt falimentimit sepse futen në fashën e TVSH.
Edi Rama vendos nivelin më të ulët të xhiros për të vendosur TVSH mbi bizneset. I godet ato në mënyrë fatale.
Ato jo vetëm do rrisin çmimet, por ato shkojnë drejt falimentimit. Do të thotë emigracion më shumë, do të thotë të largohen nga vendi me ato pak kursime që kanë për të nisur jetën diku tjetër.
Ata që goditen më shumë në këtë paketë të re janë ato që quhen shtresë e mesme, e cila ka si skelet të saj profesionet e lira, ekspertët, specialistët, që përbëjnë një ushtri të tërë shërbimi për qytetarët.
Sot në tërësi shërbimet përballohen nga këto grupe, këto studio, këto ekspertë, këto stomatologë, këta specialistë të të gjitha fushave.
Duke i kaluar ata me TVSH 21 përqind, faktikisht së pari ata detyrohen të rrisin çmimin e çdo shërbimi dhe ti në këtë mënyrë ke gjobitur qytetarët e tu.
Së dyti ti i dërgon ata drejt falimentimit dhe largimit nga Shqipëria.
Por, dyfishimi i taksës së dividentit do ketë pasoja shumë të rënda për investimet e huaja, asnjë investitor nuk do të preferojë Shqopërinë para një vendi që nuk ka taksë dividenti ose që e ka taksën e dividentit sa e kishim ne, 8 përqind.
Rritja e saj në 15 përqind de facto është një thirrje për investitorët e huaj, mos hajdeni në Shqipëri.
Aludimi se modelet taksëlarta janë modele nordike dëshmon një cinizëm të paimagjinueshëm.
Vendet nordike, është e vërtetë që janë më taksa të larta, por janë edhe vendet më sociale të Evropës dhe më gjerë. Janë vendet e shpërndarjes më të mirë të të ardhurave. Janë vendet e shërbimeve më të shkëlqyera për qytetarët dhe të kujdesit më madhor. Dhe është e vërtetë që kjo gjendje sociale në këto vende është ndërtuar në shumë e shumë dekada.
Ato vende nuk janë qeverisur ndonjëherë nga grupe kriminale kleptokratike si Shqipëria, por nga qeveri të përgjegjshme para ligjit dhe funksionim të shtetit ligjor.
Ndaj dhe të përdorësh si justifikim, si argument taksat e vendeve nordike për qytetarët më të varfër të Evropës, dëshmon cinizmin më ekstrem.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb