‘Policia ka dhunuar protestuesit’- PL: Të rinjtë po përballen me gaz, plumba gome e shkopinj! Çdo përdorim i tepruar i forcës nga efektivët, duhet të hetohet në mënyrë të pavarur (VIDEO)

Anëtari i Partisë së Lirisë në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Artan Distafa, ka akuzuar Policinë për dhunë ndaj të rinjve gjatë protestave që po zhvillohen prej ditësh në Tiranë.
Përmes një deklarate për mediat, Distafa e cilëson sjelljen e qeverisë si represion ndaj revoltës qytetare, duke theksuar se Policia ka përdorur gaz lotsjellës, plumba gome dhe dhunë fizike ndaj protestuesve.
Ai ndalet veçanërisht te paralajmërimi i Ramës për kufizimin e përdorimit të trenave nga protestuesit e dhunshëm, duke e cilësuar atë si një kërcënim paradoksal, pasi linja hekurudhore Tiranë-Durrës-Rinas, e premtuar prej vitesh nga qeveria, ende nuk është vënë në funksion.


Distafa kujton se në vitin 2022 ministrja Belinda Balluku kishte premtuar përfundimin e projektit në fillim të vitit 2024, ndërsa në tetor të po atij viti afati ishte shtyrë sërish për vitin pasardhës.
Sipas tij, qeveria premton investime për të ardhmen, por kërcënon të rinjtë me masa ndëshkuese në të tashmen. Përfaqësuesi i Partisë së Lirisë kërkon ‘ndalimin e menjëhershëm të dhunës ndaj protestuesve’ dhe hetimin e pavarur të çdo rasti të përdorimit të paligjshëm ose joproporcional të forcës nga Policia.
Ai thekson se protesta është një e drejtë demokratike dhe se të rinjtë kanë nevojë për arsim cilësor, mundësi dhe perspektivë në vendin e tyre, jo për kërcënime. Në përfundim, Distafa ironizon qeverinë, duke i bërë thirrje që, përpara se të kërcënojë me ndalimin e trenave, të përmbushë premtimin për vënien në funksion të linjës hekurudhore Tiranë-Durrës-Rinas.
Deklarata e anëtarit të Partisë së Lirisë të Këshillit Bashkiak në bashkinë e Tiranës, Artan Distafa:
Dhuna brutale e Policisë ndaj të rinjve që protestojnë dhe kërcënimet e Edi Ramës ndaj tyre janë fytyra e një pushteti që, përballë revoltës, zgjedh represionin në vend të përgjegjësisë.
Të rinjtë po përballen me gaz, plumba gome, shkopinj dhe dhunë fizike, ndërsa Kryeministri, në vend që të ndalë dhunën e nxit duke kërcënuar me masa ndëshkuese dhe kufizim të lirive.
Por kulmi i kësaj farse është kërcënimi me ndalimin e trenave!
Edi Rama kërcënon të rinjtë se do t’u ndalojë përdorimin e trenave në një Shqipëri ku treni Tiranë–Durrës–Rinas, i premtuar me bujë nga Belinda Balluku, ende nuk ekziston.
Me sa duket askush nuk i ka thënë Kryeministrit që edhe ky premtim ishte thjesht një mashtrim i rradhës dhe të mos e merte seriozisht.
Në vitin 2022, Balluku premtonte përfundimin e projektit në fillim të vitit 2024. Në tetor 2024, premtimi u përsërit sërish: treni do të niste vitin pasardhës. Sot, afatet kanë rrëshqitur përsëri, ndërsa qytetarët vazhdojnë të presin.
Pra, treni i premtuar prej vitesh nuk ka ardhur, por ndalimi i tij për protestuesit paska ardhur para trenit!
Kjo është propaganda e qeverisë investimet i premton për nesër, ndërsa ndëshkimet për të rinjtë i shpall për sot.
Një Kryeministër që nuk mban përgjegjësi për premtimet e pambajtura, por kërcënon qytetarët që kërkojnë llogari, nuk mund ta zëvendësojë llogaridhënien me frikësim.
Të rinjtë nuk kanë nevojë për kërcënime. Kanë nevojë për arsim cilësor, mundësi, dinjitet dhe një të ardhme në vendin e tyre.
Dhuna ndaj tyre duhet të ndalet menjëherë. Çdo përdorim i paligjshëm ose joproporcional i forcës nga policia duhet të hetohet në mënyrë të pavarur dhe përgjegjësit të jepin llogari para ligjit.
Protesta është e drejtë demokratike, jo privilegj që Kryeministri ua jep apo ua heq qytetarëve sipas humorit të ditës.
Shqipëria nuk ka nevojë për një Kryeministër që u mbyll dyert të rinjve. Ka nevojë për një qeveri që u hap rrugën drejt së ardhmes. Dhe, për fillim, mund të nisë duke vënë në punë trenat që u ka premtuar!