E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Pengimi i drejtësisë është kërcënim për integrimin, të gjithë në shesh nesër

TIRANË, 9 shkurt/ATSH/ Ish-kryeministri Sali Berisha paralajmëroi se nesër do të jetë një ditë vendimtare për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke akuzuar qeverinë e kryeministrit Edi Rama për pengimin e drejtësisë dhe mbrojtjen e korrupsionit.

Në protestën e përjavshme sot para godinës së Kryeministrisë, ku është vendosur edhe foltorja, Berisha u shpreh se vendimi i Ramës për të mos dorëzuar imunitetet dhe për të mbrojtur interesat personale dhe të të afërmve përbën një kërcënim për shqiptarët dhe për rrugën europiane të vendit.

“Do të asgjësojë drejtësinë, shtetin ligjor, Kushtetutën, për të mbrojtur paratë e krimit, vilat, apartamentet, kontot bankare brenda dhe jashtë”, tha Berisha.

Berisha kujtoi se integrimi në BE ka qenë një ëndërr e gjeneratave shqiptare, që filloi me rininë e viteve ’90 dhe vazhdoi me proceset e liberalizimit të vizave dhe marrjen e statusit të kandidatit.

Ai theksoi se Partia Demokratike ka qenë lokomotiva e këtyre proceseve, duke garantuar progresin e vendit drejt standardeve evropiane.

Sipas Berishës, qeveria aktuale ka humbur legjitimitetin dhe funksionon në shkelje të votës dhe të interesit të qytetarëve.

“Dy ditë më parë ai u ftua të shkonte në Bruksel për t’i komunikuar këto që ne kërkojmë sotË shtetin ligjor, heqjen e imuniteteve, gjykimin e korrupsionit”, deklaroi Berisha.

Ai akuzoi administratën për lidhje me krimin e organizuar dhe kartelet e drogës, që sipas tij kanë pasuruar një grup të vogël individësh, ndërsa gjysma e shqiptarëve ndodhen në varfëri ose rrezik varfërie, pa mundësi për të siguruar jetesën e familjeve të tyre.

Ish-kryeministri bëri thirrje për pjesëmarrje aktive të qytetarëve në protesta, duke i cilësuar ato si të ligjshme dhe të domosdoshme për mbrojtjen e shtetit ligjor, drejtësisë dhe rrugës europiane të Shqipërisë.

”Dhe nesër është beteja për integrimin e Shqipërisë në BE, për dyert e hapura të Shqipërisë. Nesër, mesazhi ynë është një dhe vetëm një, mos guxo të luash me fatin e shqiptarëve”, tha Berisha.

Kreu i PD-së, Berisha komentoi edhe deklaratën e Komisionit Europian, i cili në një reagim për mediet bënte thirrje për të mos penduar drejtësinë.

“Le të bëhemi ne përmbaruesit e vendimit. Nesër, e gjithë Shqipëria në Tiranë. Tirana në bulevardet dhe rrugët e saj”, u shpreh Berisha.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›