E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Piramida e pagave në drejtësi është “kokëposhtë” dhe në shërbim të interesave politike

TIRANA, 2 shkurt /ATSh/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot se qeveria ka shkelur ligjin dhe frymën e Kushtetutës në ndërtimin e piramidës së pagave në sistemin e drejtësisë, duke favorizuar drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme për interesa politike.

I pyetur në lidhje me kërkesën e paraqitur në Gjykatën Kushtetuese nga dy shoqata gjyqtarësh për rritjen e pagave të gjyqtarëve, Berisha tha se përcaktimi i pagave është kompetencë ekskluzive e ekzekutivit, por kjo kompetencë duhet ushtruar në përputhje me parimet kushtetuese dhe ligjore.

Sipas Berishës, në rastin konkret piramida e pagave është ndërtuar “kokëposhtë”, duke cenuar hierarkinë institucionale dhe duke poshtëruar gjyqtarët e lartë dhe drejtuesit e institucioneve kushtetuese.

“Piramida e pagave është kompetencë e ekzekutivit dhe vetëm e tij. Në këtë kontekst, në pamje të parë gjykata nuk ka asnjë lidhje. Por në qoftë se ekzekutivi e ndërton kokëposhtë piramidën, unë nuk e kuptoj, se gjykata nuk mund të ndërhyjë.

“Në ç’kuptim? Piramida parashikon rrogën më të lartë atë të kreut të shtetit. Piramida ka një shkallare me disa shkallë. Në qoftë se ekzekutivi ka firmosur për faqen e zezë të tij, që Altin Troplini të jetë njeriu më i paguar në sistemin e drejtësisë nga kufiri Slloveni-Austri gjer në Qipro, atëherë ai ka bërë një piramidë të rrogave jo në përputhje me frymën e Kushtetutës dhe ligjit, por ka bërë një piramidë në përputhje me interesat e tij personale, të cilën nuk mund ta bënte kurrë.

“Vërtetë ajo është kompetencë ekskluzive, por në të vërtetë ekzekutivi është i detyruar ta ushtrojë atë kompetencë në përputhje me parimet, frymën dhe germën e ligjit”, tha Berisha.

Berisha shtoi se vendimi i qeverisë ka cenuar rëndë dinjitetin e gjyqtarëve kushtetues, gjyqtarëve të lartë dhe Prokurorit të Përgjithshëm.

Sipas Berishës, Gjykata Kushtetuese ka të drejtë ta rrëzojë këtë vendim, edhe pse rregullimi i mëtejshëm duhet t’i mbetet sërish ekzekutivit.

“Atëherë çdo gjykatës i lartë, çdo gjykatës Kushtetues, Prokurori e Përgjithshme kanë të drejtë të ndihen të shkelmuar, të poshtëruar nga qeveria në vendimin e saj.

“Nuk them ta rregullojë, nuk mund të them, sepse duhet një ekspertizë më e thellë ligjore. Por ka të drejtë ta rrëzojë, absolutisht po. Rregullimin, mendoj unë, duhet ta bëjë përsëri ekzekutivi, sepse është një kompetencë shumë ekskluzive e ekzekutivit. Por gjykata, për mendimin tim, kur ajo ndërtohet mbi bazë xhepi dhe jo ligji, mbi bazë interesi: të paguaj unë një mercenar që të bëjë gjahun e kundërshtarëve politikë, atëherë ata kanë të drejtë. Dua të jem i drejtë me ta”, tha Berisha.

/m.q/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›