PD mbledh Foltoren para Kryeministrisë

TIRANË, 2 shkurt /ATSH/ Partia Demokratike po zhvillon sot protestën e përjavshme para godinës së Kryeministrisë, ku është vendosur edhe foltorja, nga ku përfaqësues të opozitës i drejtohen qytetarëve.
Të pranishëm në protestë janë kryetari i PD-së, Sali Berisha, deputetë të PD-së dhe përfaqësues të partive aleate, si dhe mbështetës të PD-së.
Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun, Arla Merja nga podiumi i Foltores bëri thirrje për bashkim të shqiptarëve për të hedhur poshtë atë që e cilësoi diktaturë moderne.
“Bashkimi me opozitën nuk është thjesht një zgjedhje partiake, është testimi i vërtetimit për këdo që thotë se është kundër kësaj qeverie, nënvizoi ajo.
“Një rini që nuk dëgjohet është një komb pa zë. Pas 12 viteve në pushtet, kjo qeveri nuk ka më asnjë alibi. Justifikimet e tyre nuk pinë më ujë. Kanë shkatërruar arsimin, duke e kthyer shkollën nga një vend dijesh në një fole emigrimi”, tha Merja.
Ndërsa qytetarja Danjela Shyti u shpreh se vendi përballet me probleme të rënda, ndërsa indiferenca qytetare po e shndërron Shqipërinë në një “azil pleqsh”.
Ajo theksoi se largimi masiv i shqiptarëve është plaga më e madhe dhe paralajmëroi se, nëse ritmet e emigracionit vazhdojnë, shumë shpejt vendi do të duhet të hapë më shumë azile pleqsh sesa çerdhe, kopshte apo shkolla të reja.
E konceptuar si platformë parlamentaro-qytetare, ky tubim ka në fokus denoncimet e deputetëve të PD-së dhe aleatëve, por edhe qytetarëve ndaj qeverisë.
1 nga 7/gj.m/