Berisha: Protesta e arriti qëllimin, të lirohen 25 protestuesit

TIRANË, 24 janar /ATSh/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pas përfundimit të protestës, nga selia e PD theksoi se policia “sulmoi në mënyrë të çmendur protestuesit me gaze helmuese, me topa uji dhe me mjete të tjera”. Berisha tha se kryeministri Edi Rama kërkoi përleshje me protestuesit.
“Përkundrejt qëndrimit qytetar e guximtar të protestuesve, narkopolicia përdori në agresivitet absolut mjetet e dhunës, sulmoi në mënyrë të çmendur protestuesit me gaze helmuese, me topa uji dhe me mjete të tjera.Rama kërkonte përleshjen e demonstruesve me policinë. E garantoj që demonstruesit do të përleshen me Edi Ramën. Dhe t’i them këtu: mos ndërse policinë kundër protestuesve”, tha Berisha.
Ai u bëri thirrje efektivëve të policisë që mos të bëhen ushtarë e shërbëtorë të një njeriu që nuk ka ligj as moral.
“Mos u bëni shërbëtorë të një njeriu që çdo tullë të shtëpisë së vet e ka të vjedhur. Mos u bëni shërbëtorë të një njeriu që është armik i egër i çdo shqiptari”, tha Berisha.
Berisha kërkoi lirimin e 25 protestuesve, të cilët sipas tij nuk kanë kryer asnjë akt dhune.
“Kërkoj lirimin e menjëhershëm të 25 protestuesve paqësorë, të cilët në mënyrë absolute me të gjithë dokumentacionin, nuk kanë kryer asnjë akt dhe janë marrë aty vetëm si akt urrejtje me urdhër të Edi Ramës. U kërkoj komisariateve t’i lirojnë menjëherë. Të mos zbatojnë asnjë urdhër që vjen në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën e vendit”, tha Berisha.
Sipas tij protesta e sotme e arriti qëllimin, ndërsa shtoi se do të njoftojë protestën e radhës dhe variantet e saj.
/m.q/r.e/ /a.g/