E Martë, 3 Nëntor 2026

Berisha: Prova e jetës sonë, ta kthejmë kombin në moshën e rinisë

TIRANË, 27 prill/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë një takimi sot pasdite në Kuçovë me mbështetës të Aleancës për Shqipërinë Madhështore, e cilësoi këtë projekt politik si më të mirin dhe më të madhin që i është ofruar ndonjëherë Shqipërisë në 32 vitet e fundit.

Në prani të kandidatëve për deputetë të ASHM-së, Berisha theksoi rëndësinë e përfaqësimit të denjë dhe të ndershëm për të ardhmen e vendit.

Berisha theksoi se e ardhmja do të ndërtohet mbi mbështetjen për të rinjtë dhe se programi i PD-së ka në thelb këtë prioritet.

Ai premtoi se shkollimi modern dhe cilësor do të jetë në fokus të qeverisë së re, me dyfishim të buxhetit për arsimin dhe hapje të universiteteve për të gjithë, duke hequr mesataren si kriter penalizues.

Ai garantoi gjithashtu se çdo sipërmarrës që punëson të rinj do të përfitojë mbulim të sigurimeve shoqërore për një vit nga qeveria.

“Ne garantojmë të rejat dhe të rinjtë, fëmijët se shkollimi i tyre në një arsim modern, në shkolla të pajisura me teknologji më të mira, me cilësi më të lartë do të jetë objektiv kryesor, duke dyfishuar buxhetin për arsimin dhe se nuk do të ketë më mesatare si “shpatë Demokleu” që të pengojë ata të hyjë në universitete. Përkundrazi dyert e universiteteve do të jenë të hapura dhe pas përfundimit, qeveria do të paguajë çdo sipërmarrës që punëson të rinjtë, 1 vit sigurime shoqërore për çdo të ri të punësuar”, deklaroi ai.

Një tjetër premtim ishte mbështetja financiare për startup-et dhe bizneset e të rinjve, si dhe lehtësirat për blerjen e banesave nga çiftet e reja.

Qeveria, sipas Berishës, do të mbulojë deri në 30 mijë euro interes për çdo kredi banese dhe do të shlyejë të gjithë kredinë për familjet që bëhen me fëmijën e tretë.

Berisha përcolli edhe një mesazh për rikthimin e të rinjve nga emigracioni dhe për mbështetjen e çdo emigranti që dëshiron të kthehet në Shqipëri.

Sipas tij, prova e vërtetë e vizionit dhe forcës politike është që vendi të kthehet në “moshën e rinisë” së tij, si një garanci për zhvillim, begati dhe të ardhme të sigurt.

“Prova e jetës sonë, prova e forcës tonë, e vizionit tonë, është të kthejmë kombin në moshën e rinisë së tij. Ky është qëllimi ynë. Kombi, vetëm kombi në moshën e rinisë, është komb me të ardhme, është komb që zhvillohet është komb që begatohet gjithnjë e më shumë”, deklaroi kryedemokrati.

Ai u ndal edhe te punonjësit e administratës që, sipas tij, janë të detyruar të marrin pjesë në aktivitetet e mazhorancës, duke premtuar se kjo praktikë do të marrë fund më 11 maj. Sipas tij, sheshet do t’i përkasin qytetarëve të lirë dhe jo atyre që shkojnë me detyrim në tubime politike.

Berisha foli për takimin që zhvilloi sot me bashkatdhetarë në Selanik.

“11 maji do të shënojë ndryshimin e madh për vendin, duke e ndarë Shqipërinë nga “një e keqe që po i rrëmben të ardhmen dhe rininë e saj””, tha ai.

1 nga 2

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›