E Martë, 3 Nëntor 2026

Partizani, ekipi i fundit që siguron “Final Four” në Superiore

TIRANË, 27 prill /ATSH/ Kampionati i rregullt i Abissnet Superiore u mbyll sot me javën e 36-të, duke përcaktuar përfundimisht ekipet që do të luftojnë për titullin kampion në “Final Four”, ndërsa gjithçka është vendosur edhe për skuadrat që sezonin e ardhshëm nuk do të jenë më pjesë e elitës.

Egnatia, Vllaznia, Dinamo City dhe Partizani siguruan pjesëmarrjen në “Final Four” dhe do të luftojnë për titullin kampion të këtij edicioni në Abissnet Superiore. Rrogozhinasit e mbyllën sezonin në vendin e parë, ndërsa kuqeblutë në të dytin, duke qenë më të favorizuar ndaj bluve dhe të kuqve, pasi një barazim në gjysmëfinale i çon automatikisht në finalen e madhe.

AF Elbasani luftoi deri në fund për një vend në “Final Four”, por pa sukses, pasi u mposht sot në ndeshjen vendimtare ndaj Partizanit. Verdheblutë e mbyllën kampionatin në vendin e pestë. Pas tyre renditet Teuta në vendin e gjashtë, ndërsa Bylis në të shtatin.

Tirana, falë fitores së sotme, siguroi vendin e tetë dhe do të luajë në finalen e play-out-it kundër fituesit të çiftit Besa – Pogradeci, për të përcaktuar skuadrën që do të jetë sezonin e ardhshëm në elitën e futbollit shqiptar.

Ndërkohë, Skënderbeu dhe Laçi, pasi e mbyllën në vendin e nëntë dhe të dhjetë, sezonin e ardhshëm do të luajnë në Kategorinë e Parë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›