E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Rama injoroi kërkesat e protestuesve

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot se kryeministri Edi Rama ka injoruar kërkesat e protestuesve, ndërsa pretendoi se lëvizja qytetare “jo vetëm që nuk po shuhet, por po bëhet gjithnjë e më tronditëse për regjimin e tij”.

Në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha tha se java që lamë pas u karakterizua nga zhvillime politike dhe parlamentare, duke akuzuar mazhorancën se miratoi ligje dhe ndryshime ligjore që, sipas tij, favorizojnë interesa të caktuara.

“Këtë javë, Edi Rama përdori forcën e kartonave të tij të krimit për të votuar në parlament ligje dhe amendime të Kodit Civil, të Kodit Detar, me të cilat ai mbështet fuqishëm oligarkët dhe interesat e tij kriminale. Edi Rama përdori kartonat e tij të krimit për të votuar në parlament dhuratën e parave që u grabiti pensionistëve shqiptarë, qytetarëve shqiptarë dhe për t’ua dhuruar ato miliarderit Kanye West”, tha Berisha.

Berisha akuzoi gjithashtu qeverinë për përdorimin e forcës ndaj protestuesve gjatë protestave të fundit, duke pretenduar se ndaj tyre janë përdorur lëndë kimike dhe mjete të tjera për shpërndarjen e turmës.

“Ai përdori dhunën më të egër, lëndët helmuese, djegëse, kimike njëlloj si ato që përdoren në llogoret e luftës kundër armiqve, i përdori ndaj protestuesve paqësorë”, tha Berisha.

Sipas kreut të PD-së, kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, të cilin ai e cilësoi si jolegjitim, duke përsëritur akuzat e opozitës për procesin zgjedhor dhe qeverisjen.

Në deklaratën e tij, Berisha kritikoi edhe qëndrimet e kryeministrit lidhur me luftën kundër korrupsionit, duke pretenduar se Rama ka injoruar rastet e dënimeve të zyrtarëve të lartë në Shqipëri./ /gj.m/ a.jor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›