Berisha: Prioritet lufta kundër trafiqeve dhe ndikimit të krimit në ekonomi

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se opozita ka një paketë masash për përballimin e rritjes së çmimeve, rritjen e pagave dhe mbështetjen e sektorit të turizmit.
Në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha tha se rritja e kostos së jetesës lidhet, sipas tij, me politikat ekonomike të qeverisë, ndërsa prezantoi tre masa që PD synon të ndërmarrë.
Sipas Berishës, këto masa janë vendosja e minimumit jetik në nivelin 200 euro për çdo qytetar, heqja e TVSH-së ose ulja e saj në 6% për produktet ushqimore, si dhe dyfishimi i pagave dhe pensioneve përmes një politike agresive të rritjes së tyre.
Duke folur për sektorin e turizmit, kreu i PD-së deklaroi se ky sektor është goditur, sipas tij, nga zhvillimet ekonomike dhe largimi i fuqisë punëtore, ndërsa paraqiti tre hapa që, sipas tij, do të ndihmonin në rimëkëmbjen e tij.
Berisha tha se prioritet do të ishte lufta kundër trafiqeve dhe ndikimit të krimit në ekonomi, rishikimi i sistemit të taksave për hotelet dhe krijimi i një skeme mbështetëse për punonjësit sezonalë gjatë gjithë vitit, me bashkëkontributin e shtetit.
Kreu i PD-së u ndal edhe te çështja e TVSH-së për ushqimet, duke deklaruar se heqja e kësaj takse është e domosdoshme për të ulur barrën e shpenzimeve për qytetarët./ /gj.m/ a.jor.