Berisha: Rama nuk ikën me vota, do ta heqë populli opozitar

TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot se opozita është më e vendosur se kurrë për të përmbysur, sipas tij, narkodiktaturën.
Gjatë fjalës së tij para protestuesve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë, Berisha theksoi se “jemi sot, më të fuqishëm se kurrë, më të vendosur se kurrë në ekzistencën tonë për të përmbysur këtë narkodiktaturë siç përmbysëm etërit e tij 35 vjet më parë”.
Sipas Berishës, kombi është në momentin e tij më kritik.
“Pasi shndërroi zgjedhjet në farsë elektorale, duke organizuar me paratë tuaja mijëra veprimtari të paligjshme në periudhë elektorale, duke arrestuar liderët kryesorë të partive opozitare, duke përdorur tonelatat e drogës të karteleve, duke shndërruar nëpunësit e shtetit në policë të votës së lirë, duke falur 2 miliardë euro gjoba dhe kamata vetëm për karrigen e tij, ai në një revansh të paparë bëri gjithçka që të mbyllë çdo hapësirë opozitës. Ai mendoi se projektin e tij Shqipëria pa opozitë, tani do e realizojë”, u shpreh Berisha.
“Në 10 vitet e fundit të këtij regjimi, shqiptarët janë pakësuar më shumë se nga çdo epidemi, nga çdo pushtim, nga çdo zi buke dhe çdo gjë tjetër. Shqiptarët, në 10 vite të këtij regjimi, kanë shkuar mbrapa 100 vite për lindshmërinë e tyre”, vijoi kreu i PD-së.
Sipas Berishës, kryeministri Edi Rama nuk largohet me vota.
“Rama nuk ikën me vota dhe as me drejtësi! Edi Ramën do ta heqim ne, populli opozitar Mund të ketë tek-tuk njerëz që besojnë se mund të ikën me drejtësi. Naivitet. Jo, kurrë. Ai është i gatshëm ato 84 mandate t’i përdorë si bajoneta krimi kundër drejtësisë, kundër qytetarëve, kundër drejtësisë, kundër ligjeve. Atëherë vota jo, drejtësia jo, do jenë qytetarët, do jenë idealistët, do jenë guximtarët ata të cilët do hedhin në banesën e turpit të historisë”, tha Berisha. /j.p/
Protesta e opozitës para Kryeministrisë, foto: Florian Abazaj, Andrin Hoxha 1 nga 10