Tensione në protestën e opozitës, hidhen molotovë drejt Kryeministrisë

TIRANË, 22 dhjetor/ATSH/ Ndërsa shkonte drejt përfundimit, protesta kombëtare e thirrur nga Partia Demokratike u tensionua ndërsa dhjetëra koktejle molotov janë hedhur në drejtim të Kryeministrisë, duke shpërthyer në flakë.
Tensionet nisën menjëherë pas përfundimit të fjalës së kreut të PD-së, Sali Berisha. Ndërsa ai së bashku me drejtuesit e tjerë demokratë u larguan, nisi hedhja e molotovëve që kanë rrezikuar forcat e rendit që ishin mbledhur kordon në ruajtje të institucionit.
Po ashtu, edhe protestuesit rrezikuan nga hedhja e molotovëve ndërsa njëri prej tyre u përfshi nga flakët për disa momente.
Protestuesit u përplasen me forcat e Policisë së Shtetit, pasi hoqën një pjesë të gardhit rrethues të vendosur provizorisht pranë godinës së qeverisë dhe vendosën foto të anëtarëve të kabinetit qeveritar.
Ndërkohë Policia e Shtetit ka ndërhyrë për shuarjen e flakëve.
Pas këtyre momenteve të tensionuara, protestuesit janë tërhequr nga Kryeministria duke u zhvendosur në Bulevard drejt Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkisë së Tiranës e me tej, duke iu drejtuar Kuvendit dhe duke e përfunduar protestën në selinë e PD-së.
Kjo është protesta e parë kombëtare e PD-së pas disa foltoreve të organizuara para Kryeministrisë. Protesta e opozitës u thirr pas padisë së ngritur nga SPAK ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku. /j.p/
Protestuesit hedhin molotovë ndaj Kryeministrisë, foto: Andrin Hoxha 1 nga 7