Berisha: Rama po e përdor Sazanin për influencë politike

TIRANË, 22 janar /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot jashtë Kuvendit, pas përfundimit të seancës plenare, se kryeministri Edi Rama po e përdor ishullin e Sazanit për influencë politike.
I pyetur nëse dhënia e Sazanit dhe Zvërnecit lidhet me një përpjekje të kryeministrit Rama për të ndikuar politikisht përmes lidhjeve me familjen Trump, Berisha tha se këto janë çështje të ndryshme.
“Për sa i përket Zvërnecit është një çështje private. Unë nuk di të jetë dhënë tokë publike aty, por do ta shohim”, u shpreh Berisha.
Sa i përket Sazanit, ai theksoi se Partia Demokratike mbështet investimet amerikane, por sipas tij, qeveria aktuale e ka përdorur këtë projekt për qëllime politike.
“Për sa i përket Sazanit, e kam deklaruar: ne mbështesim investimet amerikane, por natyrisht ky e bëri atë për influencë politike”, tha Berisha.
I pyetur nëse opozita duhet t’i kërkojë kryeministrit transparencë mbi bazat e negociimit të marrëveshjes për Sazanin, Berisha u shpreh se ishulli është ofruar për investime edhe nga qeveritë e mëparshme.
“Sazanin e ka ofruar edhe qeveria ime. Më parë e ka ofruar Fatos Nano. Edhe unë e kam ofruar, sepse në atë kohë nuk konsiderohej një ishull i lakmuar për zhvillim. Ia ofrova edhe mikut të njohur të Shqipërisë, Silvio Berlusconit, i cili e pranoi dhe përgatiti një projekt shumë të mirë, por kriza financiare e ndali zbatimin. Dokumentet ekzistojnë”, tha Berisha.
Ai shtoi se zhvillimi i ishullit kërkon fonde shumë të mëdha dhe se, sipas informacioneve të tij, aktualisht flitet për investime në vlerën e rreth dy miliardë eurove nga fonde sovrane arabe.
“Në qoftë se bëhet, unë nuk kam asnjë kundërshtim”, tha Berisha.
I pyetur se çfarë përfiton Shqipëria nga kjo marrëveshje, Berisha deklaroi se Sazani është ofruar më herët edhe nga qeveritë e mëparshme dhe se projektet janë përgatitur nga investitorë të huaj.
“Sazanin e ka ofruar Fatos Nano, e kam ofruar unë dhe janë hartuar projekte nga Silvio Berlusconi. Edhe qeveria aktuale e ka ofruar dhe ka gjetur Jared Kushner me një fond të madh investimi”, u shpreh Berisha.
/gj.m/r.e/a.f/