Berisha: Rama po mbyll dyert e BE-së për shqiptarët, kjo nuk do mund të bëhet kurrë realitet

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi kryeministrin Edi Rama se po “mbyll përfundimisht dyert e Bashkimit Europian për shqiptarët”, ndërsa theksoi se rrugëtimi drejt integrimit nuk do të ndalet.
Në një prononcim për gazetaren Anisa Kadesha të RTSH, Berisha u pyet për strategjinë e opozitës në protestën e paralajmëruar para Parlamentit, pas deklaratave të disa deputetëve që janë shprehur pro ngujimit në sallën plenare.
“E vërteta është se deputetët prej kohësh kanë shprehur vendosmërinë që të kalojnë dhe në akte sublime, grevë urie dhe asgjë nuk përjashtohet. Por çdo hap duhet të ndërmerret në momentin e duhur. Mendoj se fjala e sovranit është çështja më kryesore në rendin e ditës. Sovrani duhet të flasë sepse kjo që po ndodh me shqiptarët është e pashembullt në histori”, deklaroi Berisha.
Ai akuzoi Ramën se ka ndryshuar qëndrim lidhur me integrimin europian, duke thënë se pas premtimeve për anëtarësim në vitet 2027 apo 2030, tani po relativizon nevojën për integrim të plotë.
Në përfundim, Berisha theksoi se, pavarësisht zhvillimeve politike, shqiptarët do të vijojnë rrugën e tyre drejt integrimit të plotë në Bashkimin Europian.
“Edi Rama po mbyll përfundimisht dyert e BE-së për shqiptarët, çka kam bindjen më të thellë se kjo nuk do të bëhet kurrë realitet. Shqiptarët nuk do të pengohen në rrugëtimin e tyre drejt integrimit të plotë në BE”, përfundoi kreu i PD-së.