Mashtrimet me Call Centera, SPAK kërkon konfiskimin e pasurisë të dy anëtarëve të një organizate kriminale

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar konfiskimin e pasurive të dy pjesëtarëve të një organizate kriminale, Jusel Mici dhe Mendim Domi.
Ata akuzohen si organizatorë të një grupi të strukturuar kriminal, i cili nëpërmjet mashtrimit online përmes Call Center-ve në Shqipëri dhe Itali ka arritur të vjedhë miliona euro nga shtetas evropianë, duke u premtuar investime në letra me vlerë dhe kriptovaluta.
Hetimet e kryera nga SPAK kanë treguar se pasuritë e sekuestruara janë të pajustifikuara nga burime të ligjshme, duke u konsideruar të përfituara nga veprimtaria kriminale.
Totali i vlerës së pasurive për të cilat kërkohet konfiskimi për J.M., M.D. dhe personat e lidhur me ta është 1,976,870 euro dhe 9,330,062 lekë.
Pasuritë për të cilat kërkohet konfiskimi përfshijnë:
- Apartamente dhe njësi banimi në Tiranë;
- Njësi shërbimi me sipërfaqe të konsiderueshme në zonën e Bulevardit të Ri;
- Vila në Gjirin e Lalzit dhe në komplekse turistike rezidenciale;
- Sipërfaqe toke (arë) në zonat Mazrek, Kashar dhe Sauk;
- Garazhe në Njësinë Administrative nr. 9, Tiranë;
- Automjete të markave BMW dhe Audi;
- Kuota pjesëmarrjeje në shoqërinë tregtare “SUPER FOODS” sh.p.k.;
- Llogari bankare në Union Bank me balanca në euro dhe lekë.
/rtsh.al/