Berisha: Rama sulmoi drejtësinë për interesat e veta

TIRANË, 11 janar/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha reagoi në rrjetet sociale pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama në podkastin “Flasim” lidhur me nevojën për reflektim serioz ndaj politikës penale në vend.
Berisha tha se Kryeministri Rama sulmoi drejtësinë për të mbrojtur interesat e veta dhe të bashkëpunëtorëve të tij.
“Kjo dëshmon se ai nuk pranon dhe nuk do të pranojë vendimet e prokurorëve dhe gjyqtarëve, meqë sipas tij ata nuk janë të paanshëm dhe janë injorantë, jo cilësorë”, tha Berisha, ndërsa theksoi se me këtë qëndrim, Rama sërish pranon fajësinë e tij.
“Ky qëndrim është një apel për çdo shqiptar të ngrihet për largimin e tij nga pushteti, një ditë e më pare”, vijoi Berisha.
Kreu i PD-së u ndal edhe te situata në vend për shkak të motit të keq të ditëve të fundit, ku u shpreh se “Rama sot nuk foli për hallin e dhjetëra mijëra qytetarëve që nga Gjirokastra në Shkodër që kanë banesat të përmbytura”.
“Me këtë, ai mirë bëri, sepse përveç motit, shkak tjetër madhor i gjendjes së tyre të vështirë është vetë ai dhe ministrat e tij që, të pangopur, kanë vjedhur fondet e investimeve në infrastrukturën mbrojtëse nga përmbytjet”, tha Berisha.
Sipas tij, Rama i cili ka bllokuar nëpërmjet 83 mandateve heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Ballukut, përsëri sulmoi drejtësinë si të paanshme dhe jo cilësore.
/e.i/j.p/