Berisha: Raporti i KE-së kërkon reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, rrëzon Territorialen - ATSH -
TIRANË, 5 nëntor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot se progresraporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë evidenton miratimin e projektligjeve të paraqitura nga mazhoranca pa transparencë dhe pa konsultim publik.
Ai e cilësoi këtë praktikë si dëshmi të mungesës së transparencës në Parlament, ndërsa u ndal edhe te zgjedhja e Avokatit të Popullit.
“Raporti denoncon ligjet mafioze, pa asnjë transparencë të eksponentëve socialistë mafiozë që i paraqesin direkt për miratim. Konkretisht, ja çfarë thotë: Projektligjet e paraqitur shpesh në çast nga deputetët e shumicës dëmtuan cilësinë dhe transparencën e procesit legjislativ, shpesh duke anashkaluar konsultimin publik. Politizimi i emërimeve, rrëmbimi. E rrëmbeu Avokatin e Popullit. Shkeli një traditë të krijuar prej 25 vitesh. E votoi me votat e veta, thotë”, tha ai.
Një tjetër çështje e ngritur nga Berisha ishte reforma administrativo-territoriale. Ai tha se reforma e miratuar me votat e shumicës në Komisionin e Posaçëm po shkon drejt centralizimit të pushtetit dhe bie ndesh me parimet evropiane të demokracisë lokale.
Sipas tij, një reformë territoriale që synon centralizimin është antikushtetuese dhe në kundërshtim me konventat e Këshillit të Evropës, të firmosura nga Shqipëria.
“Komisioni ad hoc për reformën administrative, projekti u miratua me votat e shumicës dhe shkoi në drejtim të centralizimit, faktikisht hidhet poshtë ajo që është bërë. Në qoftë se një projekt për reformën administrative territoriale shkon drejt parimit të centralizimit, ky projekt është antikushtetues. Është në kundërshtim flagrant me konventat që ka firmosur Shqipëria me Këshillin e Evropës, dhe parimet evropiane të demokracisë lokale”, tha Berisha.
Gjithashtu sipas Berishës, “Komisioni denoncon faktin që Komisionin e Integrimit të cilin në parlamentin e mëparshëm e kishte opozita, ia morën me votat e krimit, dhe pastaj bëjnë fjalë të ndahet përgjegjësia”.
Berisha tha se Komisioni Evropian kërkon urgjentisht një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, ku të përfshihen të gjitha partitë politike dhe të gjitha aspektet e procesit zgjedhor, përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2027.
Sipas tij, reforma duhet të garantojë përputhjen e legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian, veçanërisht sa i përket transparencës, reklamave politike, shënjestrimit të zgjedhësve dhe financimit të partive politike.
“Raporti insiston se duhet urgjentisht një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse. Çfarë do të thotë kjo? Kjo reformë zgjedhore duhet të përfshijë të gjitha partitë, të gjitha aspektet politike. Edhe ata që janë në shesh duhet t’i përfshijë para zgjedhjeve vendore të 2027-ës. Shqipëria nuk e ka, prandaj duhet të sigurojnë përputhje me gjithë legjislacionin përkatës të Bashkimit Evropian në fushën e zgjedhjeve, përfshi rregulloren për transparencën, shënjestrimin, reklamat, gjithçka për financimin e partive politike”, tha ai.
/m.q/r.e/a.f/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
