E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Rrugën e Europës nuk na e mbyll dot njeri

TIRANË, 3 mars /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në foltoren e Durrësit pasditen e sotme paralajmëroi qeverinë se nuk do të mundet dot të pengojë integrimin e vendit, duke iu referuar, sipas tij, mbrojtjes së korrupsionit dhe shkeljeve ligjore.

“Rrugën e Europës nuk na e mbyll dot njeri. Sado të na mbyllësh ne dyert e Europës, do të të mbyllim ty në qeli”, tha Berisha.

Ai theksoi se Shqipëria është në rrezik nga politika e qeverisë aktuale dhe paralajmëroi qytetarët për të reaguar.

“Ky Shqipërinë do ta shndërrojë në çiflikun e tij. Ne do t’i përgjigjemi këtij me guximin më të fuqishëm, me zemërimin më të fuqishëm, dhe ne do ta rrëzojmë këtë”, tha ai.

Berisha shtoi se demokracia dhe sovraniteti i shqiptarëve nuk mund të bllokohen nga individë apo diktatorë të jashtëm. “Stina është e demokracisë, e demokratëve, nuk është e diktatorëve”, u shpreh Berisha.

Gjatë fjalës së tij, Berisha akuzoi qeverinë për përdorimin e pasurive publike për pasurimin e mafies shtetërore dhe për dështimin e shtetit në mbrojtjen e qytetarëve nga fatkeqësitë natyrore.

“Porti i Durrësit është pasuria më e madhe publike e shqiptarëve. I vuri syrin e ciklopit, dhe do të ndërtojë aty ‘Dubain e 1001 netëve’ për veten e tij. Ne kemi vetëm një rrugë: të përballemi dhëmb për dhëmb dhe ta nxjerrim nga pushteti” tha Berisha.

Ai akuzoi qeverinë për keqmenaxhim të emergjencave natyrore dhe për shfrytëzim të fondeve publike.

Berisha nënvizoi se ky sistem i lidhur me krimin dhe korrupsionin po krijon një klasë të re pushtetesh që shfrytëzojnë taksat dhe pasuritë e shqiptarëve, duke dëmtuar gjithashtu besimin dhe mirëqenien e qytetarëve.

“Por kushtetuta ka përcaktuar rregullin. A nuk ishte fatkeqësi natyrore përmbytja e 600 familjeve këtu? Asnjëri nuk u vu para ligjit për pompat e vjedhura, për kanalet e zëna, për ndërtimet mbi kanale”, tha Berisha.

Ai kritikoi gjithashtu cilësinë e ndërtimit të ndërtimeve dhe rrugëve gjatë viteve të fundit, duke theksuar se “të gjitha rrugët një e nga një, u shembën dhe askush nuk ka përgjegjësi”.

Berisha shtoi se qeveria nuk ka marrë përgjegjësi për gërryerjen e shtratit të lumit Shkumbin dhe për shembjen e tunelit, duke akuzuar administratën për injorim të qytetarëve dhe për shfrytëzim të fondeve publike.

Berisha u bëri thirrje qytetarëve të Durrësit dhe gjithë shqiptarëve për të përballuar “dhëmb për dhëmb” këtë pushtet, duke nxjerrë para përgjegjësisë autorët e abuzimeve dhe të korrupsionit. Ai theksoi rëndësinë e mobilizimit qytetar dhe ndëshkimin e shkelësve të ligjit për të garantuar drejtësinë dhe menaxhimin korrekt të pasurive publike. e.xh/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›