E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Shqipërisë i janë shtuar kushtet në procesin e integrimit

TIRANË, 5 maj /ATSH/ Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot se kushtet ndaj Shqipërisë për procesin e integrimit janë shtuar.

Gjatë një deklarate për mediet, Berisha tha se ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha dha informacione të pavërteta në lidhje me ecurinë e raportit të ndërmjetëm për Themeloret (IBAR), duke fshehur sipas tij faktin që dokumenti nuk është miratuar dhe është kthyer për rishqyrtim nga vendet anëtare të Bashkimit Europian.

Sipas tij disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian, kanë kundërshtuar draftin fillestar të raportit, duke detyruar hartimin e një versioni të ri ku janë shtuar kërkesa dhe kushte të reja për Shqipërinë.

“U paraqitën dy raporte, në një kohë kur Shqipëria quhej avangardë. Jo, thanë shtetet anëtare, ky raport është i papërshtatshëm. Dhe e vërteta është që në fillim ishin 3-4 shtete, më vonë u bënë 13 shtete. Mund t’ju them se nga 2 marsi gjer sot, dhe më 8 që do të rishqyrtohet përsëri, kanë ndodhur ndryshime të mëdha”, informoi Berisha.

“Hartuesit e raportit kanë përmbysur raportin, janë detyruar të paraqesin raport të ri, por këto i fsheh ministri se ka për mision korruptimin e fjalës, mashtrimin e qytetarëve. Presidenca ndryshoi raportin dhe paraqiti në raportin e ri tërësinë e problematikave të shtruara nga vendet që nuk pranonin raportin e parë. Dhe në raportin e dytë, që e fsheh qeveria, u shtuan për Shqipërinë një seri kërkesash. Dhe ajo që është më e papranueshme është se del në komision dhe nuk shpjegon këto”, tha Berisha.

Ai gjithashtu shtoi se qeveria po e trajton procesin e integrimit si të mbyllur dhe jo gjithëpërfshirës, ndërsa parlamenti, sipas tij, nuk ka zhvilluar debat të mirëfilltë mbi këtë çështje.

Berisha u ndal edhe te funksionimi i Kuvendit, duke theksuar se raportet ndërkombëtare evidentojnë problematika serioze dhe kërkojnë një rol më aktiv të opozitës në proceset vendimmarrëse.

Në të njëjtën kohë, Berisha nënvizoi se opozita do të marrë pjesë në komisionet për reformat zgjedhore dhe territoriale, duke theksuar se Partia Demokratike do të japë kontributin e saj për përmirësimin e proceseve.

“Ne jemi aty dhe do bëjmë çmos të japim kontributin maksimal. Edhe për reformën zgjedhore do japim kontributin tonë. Raporti kërkon që reforma të jetë me konsensus dhe të adresojë të gjitha problemet. Ndalet gjerësisht në disa paragrafë në keqfunksionimin e parlamentit”, shtoi kreu i PD-së.

“Natyrisht duke konstatuar problematikat e mëdha, kërkon pjesëmarrjen kuptimplotë të opozitës dhe jo përjashtimin e saj siç ndodh tani. Parlamenti duhet të jetë qendra e debatit për integrimin evropian, gjer sot nuk ka zhvilluar një debat. Edhe njëherë, Edi Rama e ka konceptuar procesin si një proces të mbyllur, ndërkohë që procesi i integrimit të vendit në BE duhet të jetë procesi më i hapur, më transparent”, tha Berisha.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›