Berisha: Sigurime shoqërore të paguara kujt punëson të rinjtë

TIRANË, 2 maj/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh sot nga Kurbini ku zhvilloi takimin e fushatës së zgjedhjeve parlamentare të 11 majit se qëllimi më madhor i programit të “PD-Shqipëria Madhështore” është që të rinjtë ëndrrën e tyre të bukur shqiptare ta ndërtojnë në Shqipëri.
Ndaj, tha ai, “do dyfishojmë investimet në arsim”.
“Do modernizojmë shkollat. Garantoj mësuesit se do paguhen me rrogë minimale 1500 euro. Se nuk do ketë asnjë mesatare apo pengesë. Dyert e universiteteve do jenë të hapura për ju. Pas përfundimit të studimeve, qeveria do paguajë sigurimet shoqërore çdo punëdhënësi që punëson të rinj’, tha Berisha.
“Një çati për çdo çift të ri, 30 mijë euro grant për të përballuar kredinë e butë për strehim për ju. Bonus për fëmijën e parë 70 euro. Bonus për fëmijën e dytë 60 euro. Pagesë e plotë nga lindja gjer 23 vjeç për fëmijën e tretë”, premtoi ai.
‘Përpjekjet më të mëdha për të kthyer në Shqipëri çdo shqiptar që u largua këto vite. 5 vite pa taksa, kredi të buta për strehim, hiqet çdo taksë mbi pronat e emigrantëve”, vijoi Berisha.
Kreu i PD-së u tha të pranishmëve në takim se ka një vërshim të emigrantëve nga të gjithë vendet. Sipas tij, përveçse janë regjistruar çerek milion prej tyre, tani edhe 300-400 mijë të tjerë që po vijnë të votojnë.