Berisha në Kurbin: Vitin e parë përmbyllen të gjitha plagët e krijuara nga tërmeti

TIRANË, 2 maj/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh sot nga Kurbini ku zhvilloi takimin e fushatës së zgjedhjeve parlamentare të 11 majit se pas 6 vitesh nga tërmeti shkatërrimtar, nga qeveria shqiptare pothuajse nuk është bërë asgjë.
“U ndërtuan apartamentet nga qeveria turke dhe unë e falënderoj me mirënjohje, po sot mbi 200 familja qëndrojnë në çadra dhe jo në banesat e tyre. Sot një seri pallatesh sërish janë jashtë çdo standardi”, u shpreh Berisha.
“Jam këtu për t’u zotuar para jush se vitin e parë do përmbyllen të gjithë plagët e krijuara nga tërmeti në këtë qytet dhe në të gjithë territorin e zonës së tij”, tha Berisha.
‘Jam këtu për t’u zotuar para jush se Kurbinit dhe çdo rrethi tjetër në Shqipëri do i rikthehen të gjitha institucionet siç i kanë pasur para reformës famëzezë të Edi Ramës. Që të gjitha, me gjykata dhe prokurori, që të gjitha pa përjashtim’, shtoi Berisha.
“Fitorja është në duart tona, ndaj këto 9 ditë që kanë mbetur, ta bëjmë natën ditë. Të takojmë çdo të njohur, t’i telefonojmë çdo miku që të bashkohemi me 11 Maj në votën e fitores”, bëri thirrje Berisha.
Sipas tij, programi i “PD-Aleanca Madhështore” ka për qëllim të krijojë mundësi të re për çdo qytetar të Kurbinit, pavarësisht bindjeve të tij politike.
“100 ditët e para do vendosim pensionin minimal 200 euro. Minimumin jetik 200 euro. 560 mijë pensionistë që marrin sot nën 172 euro, do të marrin 200 euro. 200 euro të marrin dhjetëra mijëra qytetarë që janë në ndihim ekonomike, do marrin qytetarët e papunë, do marrin fëmijët me një prind, do marrin studentët me bursë. Jo vetëm kaq. 500 euro do marrin rrogëulëtit”, u shpreh Berisha.