Berisha: Sot protesta më kulmore rinore qytetare, mbështesim kërkesat e tyre

TIRANË, 20 qershor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një bashkëbisedim me qytetarët tha se protesta e ditës së sotme po merr përmasat më të jashtëzakonshme që nga fillimi i saj.
Berisha tha se demokratet e demokratët, mbështetësit e PD po vërshojnë nga të katër anët e Shqipërisë.
“Qytetaret dhe qytetarët pa parti po vërshojnë nga të katër anët e Shqipërisë. Dhe përveç kësaj, diaspora shqiptare ka mësyrë vendin e vet dhe rrugët, aeroportet, tragetet sjellin dhjetëra mijëra shqiptarë këtë natë në protestën më kulmore rinore qytetare të kombit shqiptar në Tiranë për dorëheqjen e narkodiktatorit, e kreut të Meduzës të regjimit të bazuar në drogën, vjedhjen dhe farsën zgjedhore të shqiptarëve”, tha ai.
Kreu i PD-së tha se jehona e protestës është botërore.
“Parlamenti Evropian në raportin e AFET, duke ndjekur me interes të madh zhvillimet në Shqipëri, shtoi një amendament të veçantë për Zvërnecin, ku i kërkon qeverisë shqiptare shpalljen e moratoriumit për çdo vendim të mëtejshëm në zonën e mbrojtur si peizazh natyror të Zvërnecit.
Pra, zhvillimet janë historike”, vijoi Berisha.
Ndërkohë, Berisha tha se Kryeministri Rama po vazhdon betejën e tij donkishoteske duke shpallur armiq të popullit një grup blogeresh dhe blogerësh, të cilët sipas tij, pasi rreshtoi agjenturat iraniane, greke dhe ruse, tani ka shpallur si armiq të rrezikshëm të Shqipërisë blogeret, blogerët, internetin, mediat sociale dhe me radhë.
“Në vend se të dëgjojë zërin e tyre, të plotësojë pesë kërkesat menjëherë të protestës mbarëpopullore jopartiake rinore qytetare, ai vazhdon të përçmojë, vazhdon të fyejë, vazhdon të injorojë këtë zhvillim historik, i cili nuk mund të dështojë në asnjë mënyrë dhe po afron ditën e fundit të këtij regjimi të urryer për mbarë shqiptarët, për kombin shqiptar”, tha Berisha.
Në përgjigje të pyetjes së një qytetareje, që i shkruan se pse sot PD kërkon që qytetarët t’i bashkohen kësaj proteste kur më parë ka qenë kundër, Berisha tha se PD ka 13 vite që proteston.
“Çfarë mund t’i thoni ju një populli që ka 13 vite që proteston kundër Edi Ramës dhe kauzat e veta, që të mos protestojë, ta heshtësh tani? Kjo nuk do të kishte kuptim. Qytetarët kanë të drejtë të brohorasin si të duan, kurse ata të cilët mendojnë se duke shfrytëzuar mikrofonin mund ta manipulojnë atë protestë, ata do dështojnë. Jam dakord, ajo është protestë strikt rinore qytetare. Ndaj edhe nuk kam marrë pjesë. Edhe sot shfrytëzoj rastin të bëj thirrje anëtarëve dhe mbështetësve të Partisë Demokratike nga Pogoni, Kakavija, në Vermosh dhe në Valbonë, të vërshojnë drejt Tiranës në protestën më madhështore të kombit. Qytetare, rinore, jo partiake”, tha Berisha.
/e.i/ /a.g/