Berisha: Tre deputetë të VLEN u ndaluan të hyjnë në Shqipëri, akt antishqiptar

TIRANË, 9 korrik /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot se ndalimi në pikën kufitare të Qafë Thanës i tre deputetëve të koalicionit shqiptar VLEN nga Maqedonia e Veriut përbën një “akt antishqiptar” dhe një “skandal diplomatik e politik”.
Në një konferencë për shtyp në selinë e Partisë Demokratike, Berisha tha se deputetët Bekim Çoku, Adnan Hazizi dhe Hasim Myrtezani nuk u lejuan dje të hynin në territorin shqiptar.
Berisha theksoi se “nuk u lejuan të hyjnë në territorin e Shqipërisë, në kundërshtim dhe shkelje flagrante të marrëveshjeve ndërshtetërore me Maqedoninë e Veriut dhe konventat ndërkombëtare, tre deputetë të koalicionit të partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut, VLEN”.
Kreu i PD shtoi se, që të tre deputetët ishin me pasaporta diplomatike.
“Ata u trajtuan dhe u ndaluan sikur të ishin terroristë, armiq të kombit shqiptar dhe jo deputetë të nderuar, përfaqësues të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, vendin fqinj”, tha Berisha.
Kreu i PD u kërkoi ndjesë “në emër të shqiptarëve, të gjithë shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe qytetarëve të këtij vendi, koalicionit VLEN dhe të gjithë deputetëve të tij”.
Ai theksoi se PD dënon me forcën më të madhe aktin që e cilësoi të shëmtuar.
“Ky akt dëshmon një goditje të rëndë të fqinjësisë së mirë me vendin fqinj dhe përbën një përpjekje vulgare për të fajësuar fqinjët dhe të tjerët për protestën rinore qytetare më të fuqishme që ka njohur vendi në 35 vitet e fundit”, tha Berisha.
/gj.m/j.p/