Hita: Policia konstatoi pengesa ligjore për një shtetas në Qafë Thanë, tre shtetasit që e shoqëronin zgjodhën të mos vijojnë udhëtimin

TIRANË, 9 korrik/ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita deklaroi sot se Policia Kufitare ka vepruar në përputhje me ligjin në rastin e raportuar një ditë më parë në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës, ku një person nuk është lejuar të hyjë në territorin shqiptar për shkak të pengesave ligjore.
Në një konferencë me gazetarët, i pyetur në lidhje me ndalimin në pikën kufitare të Qafë Thanës të tre deputetëve të koalicionit shqiptar VLEN nga Maqedonia e Veriut, Hita sqaroi se në pikën kufitare janë paraqitur katër shtetas, tre prej të cilëve dispononin pasaporta diplomatike.
“Tre personave me pasaporta diplomatike u është bërë me dije se mund të vijonin udhëtimin e tyre. Personi tjetër, i cili ishte në shoqërinë e tyre, kishte pengesa ligjore në kufi dhe nuk ka mundur të udhëtojë drejt Shqipërisë”, u shpreh ai.
Hita tha se tre shtetasit e tjerë kanë zgjedhur të mos vijojnë udhëtimin dhe janë kthyer drejt Maqedonisë së Veriut.
Sipas kreut të Policisë së Shtetit, rasti nuk është i izoluar, por pjesë e punës së përditshme të strukturave të Policisë Kufitare për garantimin e zbatimit të ligjit.
“Gjatë vitit 2025 janë evidentuar 625 raste të ngjashme, ndërsa vetëm gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti janë regjistruar 425 raste të tjera”, tha ai.
Hita theksoi se Policia e Shtetit dhe Policia Kufitare mbeten garantuese të zbatimit të ligjit dhe se nuk ka vend për shqetësim lidhur me kryerjen e detyrave të tyre në pikat e kalimit kufitar.
/e.i/j.p/r.e/