E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha: Unë dhe familjarët e mi nuk jemi më të privuar nga mundësia e udhëtimit në SHBA

TIRANË, 12 qershor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha njoftoi sot se, që nga dita e djeshme, pas një rishqyrtimi të thelluar nga Departamenti i Shtetit të çështjes së tij, ai dhe familjarët e tij nuk janë më të privuar nga mundësia e udhëtimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas Berishës, “dje u korrigjua një vendim i padrejtë i administratës së mëparshme të SHBA-së ndaj meje dhe familjes sime”.

Ai falënderoi administratën e presidentit amerikan Donald Trump dhe sekretarin e shtetit Marco Rubio për korrigjimin e këtij vendimi.

“Me këtë rast, dua të falënderoj administratën e Presidentit Trump dhe Sekretarin Rubio për korrigjimin e këtij vendimi të padrejtë, i cili ishte i bazuar fund e krye në lobimin korruptiv të Edi Ramës dhe mentorit të tij, George Soros”, shkruan ai.

Berisha gjithashtu shprehu mirënjohje për familjen, miqtë, bashkëpunëtorët, anëtarët dhe mbështetësit e Partisë Demokratike për mbështetjen e dhënë gjatë kësaj periudhe.

“Unë falënderoj gjithashtu familjen time, miqtë e mi shqiptarë dhe të huaj, bashkëpunëtorët e mi, anëtarët dhe mbështetësit e PD-së për solidaritetin dhe mbështetjen e tyre të tejet të çmuar, të cilën e dëshmuan ndaj meje në sagën time për të vërtetën dhe dinjitetin njerëzor. Mirënjohje të veçantë dua t’u shpreh sot mbi gjysmë milioni qytetarëve shqiptarë, të cilët, në kushtet tejet të vështira të një autokracie elektorale dhe një narkoregjimi, votuan për mua dhe Partinë Demokratike”, shkruan Berisha.

Gjithashtu Berisha, ftoi anëtarët dhe mbështetësit e PD-së që të vazhdojnë pa reshtur përpjekjet për rikthimin e votës së lirë dhe të ardhmes së merituar të qytetarëve shqiptarë.

/m.q/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›