Berisha: Vendimi i Gjykatës së Lartë në funksion të Ballukut dhe Veliajt

TIRANË, 4 maj/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha reagoi sot pas vendimit të Gjykatës së Lartë mbi masën e sigurimit të arrestit në burg dhe kohëzgjatjen e tij.
Në një prononcim për mediet jashtë sallës së Kuvendit, Berisha komentoi vendimin e sotëm të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, që lidhet me standardet që duhet të udhëheqin gjykatat në caktimin dhe vijimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg”.
Sipas tij, “ky është ndryshim i një militanti të verbër të Partisë Socialiste, vetëm në funksion të Belinda Ballukut dhe Erion Veliaj”.
“Kushtetuta është shumë e qartë. Po këta kur duan e respektojnë, kur duan e shkelmojnë. Kaq”, tha Berisha, ndërsa theksoi se udhëzimi i fundit i Kolegjit ka të bëjë me Ballukun.
Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, me përbërje të 16 gjyqtarëve, morën sot vendim mbi standardet që duhet të udhëheqin gjykatat në caktimin dhe vijimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg”.
Çështja u shqyrtua pas nismës së kryetarit të Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi, i cili vuri në lëvizje Kolegjet e Bashkuara për t’i dhënë përgjigje shqetësimeve të evidentuara në praktikën gjyqësore lidhur me mënyrën se si kërkohej, arsyetohej, kontrollohej dhe zbatohej masa “arrest në burg”, si dhe për ta orientuar këtë praktikë drejt standardeve kushtetuese e konventore për mbrojtjen e lirisë personale.
/m.m/r.e/a.f/