Berisha: Vendimi për të hyrë në parlament jo i lavdishëm, por me rëndësi jetike

TIRANË, 11 shtator /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot në mbledhjen e grupit parlamentar se, vendimi për të hyrë në parlament nuk është i lavdishëm.
“Sot, ne jemi para një momenti shumë të rëndësishëm, konstituimit të grupit parlamentar dhe përcaktimit të programit, apo strategjisë tonë në jetën parlamentare. Duhet të jem fare i hapur me demokratët dhe demokratet, se vendimi i kryesisë për të hyrë në parlament, nuk është një vendim i lavdishëm dhe se jo të paktë janë ata demokrate e demokratë që kanë shkrirë dhe shkrijnë të gjithë energjitë e tyre në mbështetjen tonë, të cilët me mesazhe dhe në mënyra të ndryshme kanë shprehur pakënaqësi me vendimin e kryesisë”, tha Berisha.
Duke iu drejtuar demokratëve, Berisha tha se, pasqyra kryesore mediatike është parlamenti.
Sipas tij, nëse PD nuk do të futej në Kuvend, Edi Rama do ta festonte.
“Ne mirëkuptojmë këta demokratë që kanë instinkte politike shumë të zhvilluara, integritet dhe mendojnë se ne po bëjmë një gabim të rëndë që po hyjmë në parlament. Tani, unë i ftoj ata të ndalen në një moment fondamental. Dhe që ne demokratët për fatin më të keq, në tërësi nuk e kemi parasysh. Efektin shkatërrimtar të censurës mbi ne. Ne mendojmë se flasim me njëri-tjetrin, dalim edhe në një studio diku dhe komunikuam me zgjedhësit, në një kohë kur studimi tregon se aksionet tona të komunikimit janë as një e dhjeta e atyre të qeverisë”, tha Berisha.
Berisha u shpreh se, “vendimi i djeshëm i kryesisë për praninë tonë në parlament, duke qenë zëri i tyre, është absolutisht në kushtet e territ të narko-diktaturës, por e një rëndësie në vlerësimin tim jetik për realizimin e qëllimeve tona”.
“U garantoj se Edi Rama do festonte sonte në qoftë se ne do kishim vendosur të mos ishim në parlament”, theksoi Berisha. /gj.m/j.p/r.e/