E Hënë, 2 Nëntor 2026

Niko Peleshi në krye të Kuvendit, Balla merr sërish drejtimin e grupit parlamentar socialist

Niko Peleshi do të marrë detyrën e kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, duke pasuar në këtë post Elisa Spiropalin.

Emri i tij për kryeparlamentar u propozua nga Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste, i cili e vlerësoi Peleshin si individin me eksperiencën e duhur institucionale dhe me prirjen ndaj risive të duhura teknologjike që i nevojiten Kuvendit për “Shqipërinë e 2030-ës në BE”.

Si nënkryetare të Kuvendit, Rama propozoi deputeten e Durrësit, Klodiana Spahiu.

“Pas kaq vitesh eksperiencë në shumë institucione dhe për profilin e respektuar gjerësisht, si dhe për prirjen ndaj risive të teknologjisë, Niko Peleshi është profili dhe njeriu i duhur  për të marrë nga Elisa stafetën si kryetari i ri i Kuvendit të Shqipërisë. Deputetja e Durrësit Klodiana Spahiu është nënkryetarja e duhur për Kuvendin e ri“, deklaroi Rama.

Peleshi mbante detyrën e kryetarit të grupit parlamentar socialist, drejtimi i të cilit iu besua sërish Ministrit të Shtetit për Marrëdhënie me Parlamentin, Taulant Balla.

“Drejtimi i grupit të ri parlamentar, më i madhi që kemi pasur deri më sot, në mandatin më sfidues besoj se ka shumë pak për t’u menduar për eksperiencën e gjatë si deputet, për njohjen e detyrës së drejtuesit të grupit më shumë se kushdo. Taulant Balla është deputeti i duhur në kohën dhe vendin e duhur”, tha Rama.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›