E Diel, 1 Nëntor 2026

Gogu për protestat për Zvërnecin: Mosmarrëveshjen e zgjidh institucioni, nuk e zgjidh forca

TIRANË, 4 qershor/ATSH-Maela Marini/ Ministri i Drejtësisë Toni Gogu deklaroi sot se protesta është e drejtë kushtetuese, ndërsa shtoi se në një shtet ku sundon ligji konfliktin dhe mosmarrëveshjen e zgjidh institucioni, nuk e zgjidh forca.

I ftuar në Top Channel, Gogu u shpreh se për ngjarjen e Zvërnecit ka fajtorë që po ballafaqohen me ligjin.

“Pra nëse jemi duke përshkruar fenomenin e 29 apo 30 majit, pra atë atë skenë të turpshme të cilën unë besoj që sot ka fajtorë. Sot janë duke u ballafaquar me ligjin ata që kanë shkelur ligjin”, tha ai.

Sipas tij, “protesta është e drejtë kushtetuese dhe të bën të ndihesh mirë”.

“Njerëzit kur ushtrojnë të drejtat e tyre kushtetuese vërtetë kanë ngazëllim, kanë gëzim. Prandaj janë ato të drejta atje që njeriu të ketë edhe kënaqësinë dhe protesta është një nga ato të drejta. E them këtë gjë sepse e kam përjetuar atë gëzim dhe ngazëllim kur e drejta e protestës nuk ishte kushtetuese dhe jam duke folur për dhjetorin e vitit ’90”, shtoi Gogu.

Gogu theksoi se sfidë, si në rastin e Zvërnecit dhe në rastin e Rjollit, është si do të mund të zgjidhim këtë mosmarrëveshje.

“Besoj është sfida e një demokracie funksionale, sepse kjo është një demokraci funksionale ku shoqëria dhe shteti bëjnë së bashku tango duke shtyrë njëri-tjetrin atje për të mbajtur balancën, atje ku liria e njërit cenohet apo ku rregulli i tjetrit cenohet. Thënë këtë, sfida jonë është si do të mundim të zgjidhim këtë mosmarrëveshje. Këta njerëz nuk besojnë tek institucionet dhe kanë dalë aty”, theksoi ai.

Por Gogu theksoi se në një shtet ku sundon ligji konfliktin dhe mosmarrëveshjen e zgjidh institucioni, nuk e zgjidh forca.

“Ky është testi i të gjithë shtetit tonë pas një reforme të madhe që kemi bërë dhe besoj kjo do të bëjë dhe atë rifitimin e besimit nga qytetarët. Kjo ka qenë dhe thirrja e kryeministrit për ata që e kanë votuar, sepse një qeveri votohet te kutia e votimit. Atje është testi që kalon në një demokraci, dhe sapo e kemi kaluar atë gjë”, shtoi ai.

Sipas Gogut, institucioni i protestës është institucion më vete dhe ndaj në çdo demokraci funksionale nga protesta duhet të shkosh ose te kutia e votimit, ose duhet të shkosh përpara, ose te referendumi, ose te Gjykata Kushtetuese.

“Pra testi që do kalojmë të gjithë bashkë është se si një demokraci funksionale të zgjidhi përmes institucioneve, përmes ligjit ku të sundojë ligji dhe jo forca, të drejtën për të vendosur.”

Gogu theksoi se aktualisht ka një ligj për shoqëritë e sigurisë. “Është e turpshme, e kanë shkelur dhe për këtë arsye mbajnë përgjegjësi. U është hequr licensa, ndiqen penalisht, nuk do ushtrojnë më aktivitet. Kjo është pyetja dhe ky është testi për shtetin ligjor. Nga ana tjetër, në momentin që e drejta e qytetarit shkelet, shteti do të më shpërblejë dhe shteti është aty në radhë të parë, të vendosë rregullin dhe në radhë të dytë, është të risjellë ligjin në qendër”, shtoi Gogu.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›