E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Zgjedhjet ishin farsë elektorale, protestë paqësore të qëndrueshme

TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, hodhi akuza ndaj qeverisë për deformim të zgjedhjeve dhe shkelje të rënda të votës së lirë.

Gjatë turit të “Foltores”, në një bashkëbisedim me qytetarë dhe simpatizantë, Berisha nga Korça theksoi se opozita ka dokumentuar, me mijëra prova se zgjedhjet në Shqipëri nuk kanë qenë të lira e të ndershme, por “farsë elektorale”.

Ai akuzoi qeverinë për përdorim të burimeve shtetërore, falje gjobash dhe kamatash, shpërndarje parash, përfshirje të krimit të organizuar dhe presion mbi administratën publike.

“Sot ne vijmë pasi u kemi faktuar shqiptarëve dhe botës, me dokumente, me mijëra, e mijëra dokumente se Edi Rama është një armik i egër i votës së shqiptarëve. Se ai nuk zhvillon zgjedhje, po vetëm farsë elektorale. Dhe kjo, kjo është arritje e jashtëzakonshme”, tha Berisha.

Kreu i PD iu referua edhe raporteve ndërkombëtare, duke theksuar se në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës është rekomanduar ndarja e partisë nga shteti, ndërsa në Parlamentin Europian është ngritur shqetësimi se krimi i organizuar pengon rotacionin e pushtetit në Shqipëri.

“Sot jemi më të kthjellët dhe më të vendosur se kurrë. Ne jemi parti e paqes, por të pamposhtur dhe do rrojmë e do fitojmë për liri”, u shpreh Berisha.

Ai shtoi se PD ka ditur gjithmonë të reagoi. “Ndaj dhe ju garantoj se Edi Rama i ka ditët e numëruara, kohërat e numëruara”.

Berisha tha se ligji i “Barazisë gjinore” është ligji i shkatërrimit të përfundimtar të familjes.

“Post-marksistët, post-marksistët kanë shpallur familjen dhe shpërbërjen e saj, ndryshimin e gjinive dhe shpërbërjen e tyre si qëllimin kryesor të një bote të ardhshme.
Ndaj dhe kjo betejë është një betejë për familjen tonë, e cila ka mbajtur kombin nga shekulli në shekull, nga mijëvjeçari në mijëvjeçar dhe i detyrojmë një lloj sa Zotit ekzistencën tonë”, vijoi Berisha.

Ai shton se Rama duhet të japi dorëheqjen. “Jep dorëheqjen, se nuk ka forcë në botë që të mban më në pushtet”.

“Ndaj dhe Partia Demokratike dhe opozita e cila ka gjithë trashëgiminë e saj, ka të drejtën me vete, ka guximin e qytetarëve. Kjo kërkon nga çdo qytetar, kërkon nga çdo demokrat e demokratë, protestë paqësore të qëndrueshme. Ne nuk duhet të humbasim nordin tonë. Të gjitha betejat i kemi fituar me qëndresë paqësore. Paqja është shumë herë më e fortë se të gjitha të tjerat”, nënvizoi Berisha.

/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›