Berisha akuza Irena Gjokës: Dosja e Metës po hetohet nga një gjyqtare që falsifikoi vizën në Greqi

Kryedemokrati Sali Berisha ka hedhur akuza ndaj gjyqtares Irena Gjoka, pas daljes nga SPAK në përmbushje të detyrimit të paraqitjes.
Ndërsa mbante në duar dokumente me të cilat Berisha pretendon se vërtetohet përzënia e Gjokës nga territori greke si falsifikatore vizash, kryedemokrati akuzon se gjyqtarja e hetimit paraprak të dosjes “Partizani” vijon të qëndrojë në detyrë me urdhër politik.
“Avokati i Irena Gjokës, Altin Troplini, që e mban me çdo kusht këtë delinkuente, këtë kriminele në drejtësi, imagjinoni ju dosjen e ish-presidentit të Republikës, e ish-kryeministrit, e ish-kryetarit të parlamentit, e gjykon një delinkuente, një falsifikatore, një mashtruese që mbahet në detyrë nga i ngjashmi me të, nga sivëllau i saj, Altin Troplini.
Kam sjellë këtu dokumente që dëshmojnë se çfarë përfaqëson Irena me 5 mbiemra dhe që Troplini, për ta mbrojtur, i ka hapur dosje penale pa emër. Ky llum ligjor, ky llum njerëzor, shkelmon mbi ligje, mbi fakte, mbi prova, vetëm e vetëm për qëllimet e tij politike. Për të zgjatur jetën e Edi Ramës në pushtet dhe pushtetin e tij.
Tani unë kam sjellë këtu certifikatën e datës 24.11.2002, me të cilën policia greke vërteton se e ka përzënë Irena Gjokën nga territori i shtetit grek si falsifikatore vizash”, deklaroi Berisha.
/rtsh.al/