E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha gati edhe për grevë urie, kreu i PD denoncon kandidatin e PS në Durrës: Arkend Balla u mbështet nga Troplinët

Dy javë pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare, kryetari i PD-së, Sali Berisha, paralajmëroi se opozita do të ndërmarrë çdo aksion për të denoncuar këtë proces, përfshirë edhe grevën e urisë së deputetëve në shtator. Gjatë një konference me gazetarët, Berisha theksoi se nuk përjashtohet asnjë rrugë për denoncimin e asaj që ai e cilëson si farsë elektorale.

“Absolutisht i gatshëm ta udhëheq betejën gjer në fitore dhe me shembullin personal, t’u rikthej shqiptarëve votën e lirë. Nuk përjashtohet asnjë variant”, u shpreh Berisha.

Për të mbështetur akuzën se bandat kriminale ndikuan në rezultatin e 11 majit, Berisha u ndal te qarku i Durrësit, ku një deputet i PS-së pothuaj i panjohur, Arkend Balla, mori 20.718 vota. Sipas Berishës, deputeti Balla u mbështet nga banda e Troplinëve.

“Arkend Troplini, në vitin 2021, si Arkend Balla, mori gjithsej 2.500 vota. Dhe kur u konvertua në Arkend Troplini, mori 21 mijë vota.”

Berisha artikuloi akuza edhe ndaj SPAK-ut, i cili sipas tij vonoi operacionin “Ura” pas zgjedhjeve.

“Sepse Irena me 5 mbiemra, e cila duhej të kishte ikur me kohë atje ku e ka vendin, KLGJ-ja me ligj për 20 ditë duhej të jepte verdiktin, por ajo mban 42 ditë për të marrë vendimin për Elvis Doçin. E morët vesh, besoj, që të gjithë krerët e kartelit Troplini janë të lirë, në arrati gjoja, por janë të gjithë në Durrës, në shtëpitë e tyre.”

Sipas Berishës, 11 maji ishte farsë elektorale dhe farsat nuk mund të fitohen nga opozita. Ndaj, PD do të bëjë gjithçka për të larguar Edi Ramën nga posti i kryeministrit dhe për të zhvilluar zgjedhje të reja.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›