E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha “mbështet” Edi Ramën, kryetari i PD kundër rritjes së pagave të gjyqtarëve

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është pozicionuar kundër rritjes së pagave të gjyqtarëve e prokurorëve. Gjatë një konference me gazetarët, Berisha komentoi kërkesën e Unionit të Gjyqtarëve drejtuar Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se, pavarësisht se ata kanë sot pagat më të larta, fenomeni i korrupsionit në gjyqësor vetëm është rritur.

“Prokurorë dhe gjykatës në Shqipëri, paguhen më shumë se çdo gjykatës dhe prokuror në gjithë gadishullin e Ballkanit dhe baras me disa vende të Europës. Nuk ka gjë më absurde dhe kjo vetëm sa u ka rritur oreksin.”

Sipas Berishës, korrupsioni në sistemin e drejtësisë është në nivelin më të lartë se asnjëherë më parë.

“Nuk është vendi për 7 mijë euro për ata që flenë mbi dosje krimi, siç fle Altin Troplini.”

Berisha shfrytëzoi konferencën me gazetarët për të rikthyer akuzat ndaj ish-presidentit Bamir Topi dhe ish-nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, si njerëzit që u morën para gjyqtarëve për transferimet në detyrë.

“Ky çakalli që del çdo natë dhe flet nga Shallvaret apo nga Berlini thotë, bashkë me bosin e tij, Komisioni Europian në një raport investigativ, i akuzon se këta merrnin 150 mijë euro për një transferim, 200-300 mijë euro për një emërim në Tiranë.”

Sipas Berishës, pagat në sistemin e drejtësisë duhet të jenë në proporcion me pagat e funksionarëve të tjerë publikë.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›