E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha me aleatët: Përcaktojmë së bashku sistemin zgjedhor më të dobishëm

TIRANË, 5 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi sot një takim me aleatët e Federatës së Opozitës së Bashkuar.

Gjatë takimit, Berisha tha se do të përcaktojë së bashku me aleatët sistemin zgjedhor që konsiderojnë më të dobishëm.

Në nisje të fjalës së tij në tryezën me aleatët, Berisha tha se rezultatin e zgjedhjeve e diktoi kodi elektoral, por institucionet e vëzhgimit të zgjedhjeve kanë dhënë një seri rekomandimesh për përmirësimin e kuadrit ligjor të zgjedhjeve.

“Atëherë ne jemi këtu pikërisht për ato rekomandime, për t’u qëndruar luajalë, sepse ata qëndruan të vërtetë, nuk u ndikuan, u thanë shqiptarëve të vërtetën. Ne i konsiderojmë rekomandimet e tyre të dobishme për procesin zgjedhor”, shtoi Berisha.

Kreu i PD-së theksoi se do të punojnë mbi rekomandimet e OSBE/ODIHR.

“Nga viti 1991 gjer sot, Shqipëria ka pasur sisteme të ndryshme për zgjedhjen e deputetëve nga mazhoritar, tek proporcional dhe pseudomazhoritar. Së fundmi, rajonal. Natyrisht nuk mund të them se PD nuk ka pasur rolin kryesor në këto përcaktime, së bashku me PS që kanë qenë dy forcat politike kryesore. Por në këtë situatë, unë dua t’ju garantoj për vullnetin e plotë të PD, të përcaktojmë së bashku atë sistem që ne si forca politike opozitare e konsiderojmë më të dobishmin”, tha Berisha.

Berisha theksoi se “ne kemi përfaqësuesit tanë në komisionin e reformës elektorale, të cilët do jenë avokatët e propozimeve tona, të ujdisura, të rëna dakord që ne mendojmë se është sistemi më i përshtatshëm për zgjedhjet në Shqipëri”.

Kreu i PD-së shtoi gjithashtu se me “Edi Ramën nuk ka zgjedhje”, dhe se kush mendon ndryshe “ose kanë mungesë të kulturës elektorale ligjore, ose pastaj janë me dashje ose pa dashje avokatë të farsës”.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›