E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Berisha me përfaqësues të Fratelli d’Italia: Qeveria teknike, kusht për zgjedhje të lira - ATSH -

TIRANË, 3 nëntor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha priti sot një delegacion përfaqësuesish të partisë simotër italiane, Fratelli d’Italia (Vëllezërit e Italisë).

Në takim morën pjesë prof. dr. Ugo Falcone, koordinator i Observatorit Gjeopolitik të Bregdetit Adriatik, nënkryetar i Klubit UNESCO të Udines dhe anëtar i Asamblesë Kombëtare të Fratelli d’Italia; arkitekti Roberto Guggino, këshilltar bashkiak dhe kryetar i grupit të Fratelli d’Italia në bashkinë e Pradamanos (Udine), si dhe bashkëpunëtor i BLDing Studio Srl (Pordenone); dhe Albert Meçaj, këshilltar biznesi me përvojë ndërkombëtare dhe anëtar i Observatorit Gjeopolitik të Bregdetit Adriatik.

Sipas zyrës së shtypit të PD-së, gjatë takimit, Berisha i njohu të ftuarit me zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, duke u ndalur veçanërisht te protestat studentore, të cilat i cilësoi ndër më të fuqishmet në historinë e vendit. Ai theksoi se studentët janë ngritur kundër korrupsionit, narkoshtetit dhe shkatërrimit të procesit zgjedhor, duke kërkuar largimin e qeverisë dhe krijimin e një qeverie teknike për nxjerrjen e Shqipërisë nga kriza.

Berisha deklaroi se problemi më madhor i Shqipërisë, me pasoja shkatërrimtare për demokracinë, shtetin ligjor, shoqërinë dhe ekonominë, është narkoshteti.

Berisha theksoi se “euroja dhe dollari kanë pësuar në Shqipëri një zhvlerësim përkatësisht prej 32% dhe 35%, duke goditur rëndë eksportet dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare”.

Zyra e shtypit të PD njoftoi më tej se, duke iu referuar kushteve në të cilat u zhvilluan zgjedhjet e fundit parlamentare dhe gjetjeve të raporteve ndërkombëtare, Berisha tha se krijimi i një qeverie teknike është kusht i domosdoshëm për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri.

Berisha nënvizoi se rikthimi i votës së lirë, lufta kundër korrupsionit dhe çlirimi i institucioneve nga ndikimi i krimit të organizuar janë parakushte për rivendosjen e demokracisë dhe të perspektivës europiane të vendit.

/m.q/a.f/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›