E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha me të rinjtë: Kjo qeveri s’ka më legjitimitet. Kam besim se ju do e përmbysni

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një bashkëbisedim me të rinjtë dhe rejat ka deklaruar se qeveria e kryeministrit Rama nuk ka më legjitimitet.

Sipas Berishës, opozita do të përballet me mazhorancën deri në rrëzimin e saj.

“Sot, Shqipëria ka një opozitë e cila qëndron e vendosur në idealet e saj. Qëndron e vendosur të vazhdojë betejën gjer në përmbysjen e kësaj diktature. Por edhe dy gjëra.

Kjo betejë zhvillohet sot në dy rrethana apo në dy kushte jashtëzakonisht të favorshme dhe këto janë, së pari demaskimi, denoncimi që i bëmë Edi Ramës për vjedhjen e zgjedhjeve.

Opozita faktoi se ky njeri nuk zhvillon zgjedhje, ky plaçkit zgjedhje. Ky u përpoq me të gjitha mjetet të përmbysë raportin dhe dështoi totalisht. Dhe ky për shqiptarët dhe mbarë botën është autori i një farse elektorale. Çfarë tha raporti i Këshillit të Europës? Në Shqipëri duhet të ndahet partia nga shteti”, është shprehur Berisha.

Berisha theksoi më tej se qeveria nuk ka legjitimitet sepse ka dhunuar zgjedhjet.

“Së dyti, një qeveri që del nga zgjedhje të lira, ju jeni të rinj, por duhet ta dini që nuk mund të rrëzohet. Nuk ke të drejtë, në qoftë se u qëndron parimeve që u beson, të kërkosh rrëzimin e një qeverie që del nga zgjedhje të lira përveçse me votën e lirë.

Protesta mund të bësh, por sovrani e ka autorizuar atë të qëndrojë aq sa e thotë Kushtetuta.

Por kjo qeveri nuk ka legjitimitet sepse ka dhunuar zgjedhjet.

Përveç kësaj, edhe për qeveri që dalin nga zgjedhje të lira, në qoftë se ato kapen duke vjedhur qytetarët, ato humbasin legjitimitetin”, ka theksuar Berisha.

Ai shtoi më tej se të rinjtë janë shpresa më e madhe e shqiptarëve për të ndryshuar ngjarjet politike.

“Pra, ka dy faktorë që bëjnë të paligjshme këtë qeveri, farsa elektorale dhe plaçkitja e qytetarëve. Kurrë ndonjëherë një qeveri e tillë nuk është kapur në flagrancë, një kryeministër i tillë nuk është kapur në flagrancë duke vjedhur miliarda të qytetarëve dhe përpiqet të përdorë pushtetin për t’u mbrojtur. Është shkak, është arsye më madhore për të bërë gjithçka për përmbysjen e saj. Shpresa më madhore e shqiptarëve sot jeni ju, gjenerata juaj dhe unë kam besimin më të madh se do ta përmbysni me sukses”, deklaroi më tej Berisha.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›