E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha me të rinjtë e PD-së: Keni shansin të riktheni shpresën e shqiptarëve

TIRANË, 23 janar/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh sot se tarifat e larta të shkollave në arsimin publik në vend, nuk i lejojnë 49% të familjeve që të shkollojnë më shumë se një fëmijë.

Deklarata e Berishës erdhi gjatë “Foltores” që ai zhvilloi pasditen e sotme në selinë e PD-së me të rinjtë e forumit rinor të kësaj partie.

Duke iu drejtuar të rinjve, Berisha tha se ata paguajnë 4-5 herë më shumë se studenti gjerman për universitetin.

“Pse ishte krejt e kundërta para vitit 2013? Kishim një politikë ne, që të rinjtë duhet të shkollohen. E gjetëm vendin me 12 studentë për 1 mijë banorë, arritëm në 52 studentë për 1 mijë banorë”, tha Berisha.

Kreu i PD-së u tha të rinjve se ata kanë në dorë shansin e madh për të rikthyer edhe një herë shpresën e shqiptarëve ndërsa u ndal edhe tek problematikat e strehimit.

“Tirana në strehim është një nga tre qytetet më të shtrenjta në Evropë”, u shpreh Berisha.

Kreu i PD-së në bashkëbisedimin me të rinjtë u ndal edhe tek situata politike, duke e cilësuar luftën kundër diktaturave betejë të komplikuar.

“Por do fitojmë. Në këtë kuadër, në këtë kontekst, unë u bëj thirrje ju të ngriheni në lartësinë e këtij misioni. Sot ju keni shansin e madh të riktheni edhe njëherë shpresën, besimin, lirinë, të drejtat, të ardhmen tuaj dhe të shqiptarëve”, tha Berisha.

Kreu i PD-së theksoi se Gjenerata Z po rezulton sot në botë antidoti më i madh i diktaturave.

“E përmbysi në Bangladesh e në Nepal regjimin, e përmbysi në Sri Lanka, po i dridh themelet autokratit të Beogradit Vuçiç. Sot, Shqipëria ka një opozitë që qëndron e vendosur në idealet e saj gjer në përmbysjen e kësaj diktature”, cilësoi Berisha.

Ndërkaq, kreu i PD-së e cilësoi të turpshme seancën e djeshme në Gjykatën Kushtetuese ku u mor në shqyrtim kërkesa kundër vendimit të pezullimit të zv.kryeministres Balluku nga GJKKO.

Sali Berisha, kreu i PD gjatë Foltores me të rinjtë e FRPD 1 nga 3

/e.i/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›