Berisha në “Foltoren” e PD: Rama tha se lufta kundër korrupsionit është më e dëmshme se korrupsioni

TIRANË, 2 mars /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha shprehu sot, në Foltoren e përjavshme të PD përpara Kryeministrisë, mirënjohje ndaj atyre që mblidhen çdo të hënë.
“Një mirënjohje të pakufishme për ju, njerëz idealistë, guximtarë që mblidheni këtu çdo të hënë për t’u rikujtuar shqiptarëve në Shqipëri dhe kudo se java është e idealistëve, e guximtarëve, e kryengritësve”, u shpreh Berisha.
Ai gjithashtu përshëndeti ata që morën pjesë në protestën e së shtunës.
“Përshëndes gjithashtu me shumë mirënjohje ata dhjetëra-mijëra qytetarë për marshin e tyre epik të paparë më parë në rrugët e Tiranës, në të cilin ata dhanë mesazhin e një qytetarie të pamposhtur, e njerëzve që janë të vendosur në misionin e tyre”, tha Berisha.
Më tej, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama për qëndrime, që sipas tij, bien ndesh me luftën kundër korrupsionit.
Ai iu referua një deklarate të kryeministrit, duke thënë se, “deklaroi publikisht para secilit shqiptar se lufta kundër korrupsionit është më e dëmshme se vetë korrupsioni”.
Sipas Berishës, kjo deklaratë është bërë në një moment kur, sipas tij, ka pasur reagime qytetare dhe mesazhe nga përfaqësues ndërkombëtarë lidhur me forcimin e shtetit ligjor.
“Kjo deklaratë është bërë në një kohë kur shqiptarët kanë bërë protesta më të fuqishme kundër vjedhjes së tyre, kundër mbrojtjes së korrupsionit. Kjo deklaratë është bërë kur komuniteti ndërkombëtar ka sjellë në Tiranë ministra kryesorë të Europës, ka sjellë në Tiranë komisionerë të Komisionit Europian. Ka sjellë mesazhet më të prera, më të qarta se vjedhjet e qytetarëve shqiptarë nga qeveria nuk do t’i tolerojnë”, tha ai.
Berisha shtoi se përgjigjja e kryeministrit, sipas tij, ishte se, “lufta kundër korrupsionit sjell më shumë probleme se vetë korrupsioni”, duke e cilësuar këtë si një sfidë serioze për vendin.
/gj.m/r.e/