E Martë, 3 Nëntor 2026

Berisha në Lushnjë: Do të 5-fishohen subvencionet për fermerët

TIRANË, 9 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha prezantoi sot kandidatët e “PD – Aleanca për Shqipërinë Madhështore” në qytetin e Lushnjës.

Gjatë fjalës së tij kryedemokrati bëri prezantimin e programit të PD-së, ndërsa theksoi  potencialet e jashtëzakonshme bujqësore që ka Lushnja.

Berisha tha se do t’i barazojë fermerët shqiptarë me ata të rajonit.

“Do të subvencionojmë pesë herë më shumë. Do të rrisim fondin e subvencionimeve 5 herë për çdo fidan, për bimët e arave, për njësi prodhimi, për çdo krerë bagëti. Po, atëherë të maten fermerët e tjerë me fermerin e Lushnjës dhe të shohin kush prodhon më shumë dhe më lirë, i Lushnjës do të jetë i pari”, tha Berisha.

Sipas Berishës qeveria “për t’i hapur dyert shkatërrimit të prodhimit bujqësor, ka vendosur TVSH-në asimetrike te grumbulluesit dhe përpunuesit e prodhimeve”.

“Unë iu jap fjalën ju se tre muajt e parë do vendoset taksa simetrike, e cila bën që përpunuesi t’i kthejë fermerit, të marrë ai TVSH-në 20 për qind për prodhimet që shet”, tha Berisha.

Kryedemokrati tha po ashtu se Ballkani i Hapur “do hidhet në kosh të plehrave javën e parë të qeverisjes së PD”.

“Linjë krediti të butë, në të cilën qeveria do paguajë 80 për qind të interesit, do u ofrohet fermerëve të Lushnjes dhe mbarë Shqipërisë”, tha Berisha.

“Vaditja, kullimi dhe mbrojtja e tokës do jenë tre përparësi madhore të qeverisë së ardhshme”, theksoi më tej Berisha.

Berisha tha se “qeveria do ketë fondin e kompensimit me çmimin bazë të të gjithë dëmtimeve që vijnë nga faktorë natyrorë ose stoku i mbiprodhimit dhe mosshitja e tyre”.

“E deklaroj këtu botërisht se do të mbrojmë në çdo sezon prodhimet tuaja. Çdo vend e bën këtë, përveç Shqipërisë sot. Po, do t’i mbrojmë ato. Çdo vend i mbron. 2 mijë tonë patate iu kalbën një fermeri në Pogradec për shkak të Ballkanit të Hapur. Mijëra ferma falimentuan”, tha Berisha.

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›