E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha në SPAK për dosjen ‘Partizani’ – Akuzon Dumanin dhe Gjokën, kërkon transparencë në gjykim

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u paraqit këtë të hënë në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje” për dosjen “Partizani”.

Vizita e tij në ambientet e SPAK zgjati pak minuta, ndërsa pas daljes ai vijoi me deklarata për mediet.

Berisha artikuloi akuza ndaj prokurorit Altin Dumani dhe gjyqtares së GJKKO-së, Irena Gjoka, e cila është edhe gjyqtarja e dosjes “Partizani”.

“Altin Maneku Troplini! Altin Troplini merr edhe një mbiemër të ri, të denjë për të dhe ky mbiemër është manaku. Mercenarit të Edi Ramës, armikut të egër të pluralizmit dhe votës së lirë të shqiptarëve. Drejtësia vonon, por nuk harron!”, u shpreh Berisha për ish-kreun e Strukturës së Posaçme.

Ai ngriti pikëpyetje mbi vendimet e marra nga Gjoka, duke pretenduar se ka pasur probleme ligjore në Greqi që nuk janë marrë në konsideratë nga institucionet shqiptare. Sipas tij, ky është një rast unik që tregon standarde të dyfishta në sistemin e drejtësisë.

Berisha përmendi Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP) dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë (ILD), duke i akuzuar për shmangie të përgjegjësisë dhe konflikt interesi.

Ai tha se disa çështje janë mbyllur në mënyrë të dyshimtë, duke mos reflektuar praktikat e mëparshme gjyqësore ku dënimet jashtë vendit janë konsideruar të vlefshme edhe në Shqipëri.

Lideri demokrat ka deklaruar se kryeministri Edi Rama duhet të jetë subjekt hetimi për vendimet e marra mbi pronat dhe lejet e ndërtimit, të cilat sipas tij janë në kundërshtim me ligjin.

Berisha paralajmëroi se do të vijojë me denoncime të tjera, duke i cilësuar si pjesë e një serie që synon të ekspozojë problematika të mëtejshme brenda sistemit të drejtësisë.

Ai nënvizoi se transparenca dhe ballafaqimi publik janë të domosdoshme për zbardhjen e së vërtetës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›