Berisha në fushatë nga Tropoja: Brenda 100 ditësh do çrrënjosim varfërinë, Shqipëria qeveriset nga një “argat i Vuçiçit”

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi këtë të dielë takimin përmbyllës elektoral të koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” në qytetin e tij të lindjes, Tropojë, në kuadër të zgjedhjeve vendore të 11 majit.
Duke iu drejtuar qytetarëve të mbledhur, Berisha premtoi se qeverisja që propozon do të çrrënjosë varfërinë e skajshme nga Tropoja brenda 100 ditëve të para. Ai e cilësoi koalicionin e tij si një mision për të rikthyer dinjitetin, mirëqenien dhe shpresën te familjet shqiptare.
“Programi ynë është përjashtimi brenda 100 ditëve i mjerimit dhe varfërisë së skajshme nga Tropoja. Ne nuk duam që njerëzit të mbijetojnë, por të jetojnë me dinjitet,” – deklaroi Berisha.
Ai akuzoi qeverinë aktuale se është e shkëputur nga realiteti i qytetarëve dhe se nuk përfaqëson interesat e tyre.
“Qeveritarët janë vite dritë larg halleve dhe problemeve tuaja. Sot vendi qeveriset nga një konglomerat pushteti me krimin, ku pasuritë e Tropojës nuk u përkasin më qytetarëve të saj,” – theksoi Berisha.
Në një deklaratë të fortë politike, ish-kryeministri kritikoi ashpër kreun aktual të qeverisë, duke e akuzuar si aleat të politikave serbe në rajon.
“Në Tiranë sot qeveris një njeri që bota e ka quajtur kryeministri më i mirë i Serbisë pas Nikolla Pashiqit. Ai është një argat i Vuçiçit, jo një përfaqësues i interesave shqiptare,” – tha Berisha, duke bërë krahasime historike me figura të njohura të politikës serbe.
Berisha e përmbylli fjalimin e tij me një thirrje për bashkim dhe angazhim, për të kthyer “Madhështinë e bjerrur” të Tropojës në një model zhvillimi dhe krenarie.
“Vijmë me një projekt të ri që synon të kthejë pasuritë e kësaj toke në të mira për familjet. Qytetarët do të jetojnë me dinjitet dhe Tropoja do të jetë sërish simbol i qëndresës dhe krenarisë kombëtare,” – përfundoi ai.
/vizionplus.tv