E Martë, 3 Nëntor 2026

Berisha nga Brukseli: Partitë pjesëtare të IDU mbështesin përpjekjet për rikthimin e votës së lirë

TIRANË, 15 maj /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha po merr pjesë në Forumin Botëror të IDU-së në Bruksel.

Në një intervistë Berisha deklaroi sot se, partitë pjesëtare të IDU mbështesin 100% përpjekjet e PD dhe opozitës shqiptare për rikthimin e votës së lirë.

“Sot është forumi botëror i IDU-së që mbahet në Bruksel. Një herë mbahet në Uashington, herën tjetër mbahet në Bruksel. Unë erdha këtu me urgjencë për të mbrojtur votën e shqiptarëve. Për të paraqitur para audiencës dhe personaliteteve të pranishme në këtë forum, farsën e turpshme zgjedhore të 11 majit. Dhe, këtu ka një terren jashtëzakonisht të përshtatshëm, pasi që të gjitha këto që ndodhën në 11 maj janë të parashikuara në mënyrë të plotë në rezolutën e dhjetorit të forumit të Uashingtonit të IDU-së”, tha ai.

“Në këto orë qëndrimi pata rastin ta takoj dhe ta informoj për zhvillimet e fundit, presidentin e IDU-së, z. Stefan Harper dhe shumë personalitete të tjera nga Evropa, por edhe nga vende tjera nga mbarë bota.

Pra, qëllimi kryesor është denoncimi online, flakë për flakë si të thuash, i farsës elektorale, të cilën për hir të së vërtetës e kam denoncuar, dhe e kanë denocuar me profesionalizëm të madh, edhe vëzhguesit e institucioneve ndërkombëtare të zgjedhjeve të 11 majit”, u shpreh Berisha.

I pyetur lidhur me garancitë që mori nga drejtuesit e partive politike, Berisha tha se, “ata mbështesin plotësisht 100 për qind përpjekjet që po bën PD dhe opozita shqiptare për rikthimin e votës së lirë qytetarëve shqiptarë, dhe dënojnë farsën elektorale të Edi Ramës. Ne u jemi pafundësisht mirënjohës IDU-së, PPE-së dhe CDI-së, të cilat kanë folur në rezoluta të tyre në një gjuhë të njëjtë ndaj narkoshtetit shqiptar dhe shndërrimit të procesit zgjedhor në një farsë elektorale nga Edi Rama, narkodiktatori që ka përqendruar në duart e tij të gjitha pushtetet”.

Lidhur me kohën që i duhet PD për të dorëzuar te përfaqësuesit e PPE-së, PE, KE, përfaqësuesit e IDU-së provat e asaj që ato e quajnë si “farsë elektorale”, Berisha u shpreh se, “ne, çdo gjë e kemi gati në kohë reale, e kemi të pregatitur, por natyrisht, finalizohet me finalizimin e procesit zgjedhor dhe shqyrtimit të ankesave. Pas kësaj, ne raportin e kemi gati. Ne kemi punuar në mënyrën më serioze. Ne kemi parashikuar këto zhvillime. Dhe pikërisht, në këtë trend, ne kemi dokumentuar shumësinë e pafundme të parregullsive, të dhunimeve, të manipulimeve të këtyre zgjedhjeve. Kështu që, fundi i procesit ka pothuaj në të njëjtën kohë, është dhe përfundimi i raportit të cilin ne do ta paraqesim në të gjitha organizatat e mëdha, ku bëjnë pjesë të gjitha kancelaritë e mëdha të Europës dhe botës, në Uashington, në kancelarinë gjermane, britanike, në Francë. Kudo, do paraqesim dokumentacionin e farsës elektorale të Edi Ramës”.

I pyetur lidhur me ndryshimin midis zgjedhjeve të vitit 2001 dhe 2025, dhe provave të mbledhura sipas tij, Berisha tha se, “kanë qenë të një karakteri të ndryshëm. Pse kanë qenë të një karakteri të ndryshëm? Në 2001, qeveria angazhoi kryesisht policinë. Kurse, kësaj here, angazhimi ishte shteti i tërë. Kësaj here, Edi Rama publikisht bleu vota, shpërndau 70 milionë euro në fushatë elektorale për të blerë vota, duke i dhënë 100 euro 48% të votuesve shqiptarë që janë pensionistët sot. Bleu vota duke fal 200 milionë euro kamata dhe gjoba të dhjetëvjeçarit. Bleu euro duke autorizuar mbjelljen e miliona-miliona rrënjëve kanabis, në një kohë kur një rrënjë kanabis sjell të ardhura 1000 euro. Bleu vota, duke punësuar me dhjetëra-mijëra qytetarë. Po këto ishin publike. Bota e krimit, si asnjë herë më parë, u angazhua me të gjitha qindra, miliona mos miliarda euro në blerje votash në urdhra dhe sjell në parlament rreth 28 kandidatë të financuar, të mbështetur, të garantuar prej organizatave kriminale”.

I pyetur nëse një dëgjesë në Kongresin amerikan ka rëndësi të madhe sa i takon çështjes së zgjedhjeve, Berisha tha se, “ne vijmë për t’ia paraqitur gjithçka ligjvënësve, administratës së SHBA të gjitha faktet flagrante që kemi, të cilat rrëzojnë këtë farsë elektorale dhe dëshmojnë në Shqipëri është i instaluar narkoshteti. Ne, po përpiqemi dhe jam optimist. Natyrisht, agjenda e Kongresit amerikan dhe e senateve është një agjendë shumë e ngjeshur. Por, unë kam shumë besim që do arrijmë që, në një mënyrë ose një tjetër të paraqesim kauzën tonë të drejtë”.

I pyetur lidhur me betejën që do të bëjë opozita tashmë në parlament, Berisha tha se, “opozita do të hartojë agjendën e saj, por opozita do të vazhdojë betejën për votën e lirë në të gjitha format”.

I pyetur lidhur me një vendim të Policisë së Shtetit që mos të lejohet protesta e njoftuar nga ana e opozitës ditën e nesërme në ora 17:00, Berisha u shpreh se, “opozita nuk njeh asnjë vendim antikushtetues. Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë i ka dhënë përgjigje përfundimtare çështjes së tubimeve. Po, ne e deklarojmë publikisht se tubimi i opozitës nuk kërcënon dhe nuk do të kërcënojë sigurinë e mysafirëve në Tiranë”.

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›