ABU DABI – Trump: Nuk do të ketë progres për armëpushimin në Ukrainë derisa të takohem me Putinin

DOHA/ABU DABI, 15 maj /ATSH-DPA/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, nuk pret ndonjë progres konkret në bisedimet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë – derisa ai dhe presidenti rus, Vladimir Putin të takohen personalisht.
Negociatat do të fillojnë sot në Turqi, por Putini nuk do të jetë i pranishëm dhe Trump është i angazhuar në një vizitë në Lindjen e Mesme.
“Asgjë nuk do të ndodhë derisa unë dhe Putini të takohemi”, u tha Trump gazetarëve në bordin e “Air Force One” ndërsa ai udhëtonte nga Katari për në Emiratet e Bashkuara Arabe.
“Nuk besoj se do të ndodhë diçka, pavarësisht nëse ju pëlqen apo jo, derisa unë dhe ai të takohemi. Por, do të duhet ta zgjidhim këtë çështje sepse shumë njerëz po vdesin”, shtoi Trump.
Gjatë ditëve të fundit, Trump ka deklaruar vazhdimisht se Putini do të donte që ai të përfshihej në bisedime dhe se kishte të ngjarë të mos merrte pjesë personalisht në negociatat e Turqisë.
Presidenti i SHBA-së, Trump e ka lënë të hapur mundësinë e bashkimit në bisedimet në Turqi – në një fazë të mëvonshme. //a.i/