Berisha nga Njësia 9: Jetojmë në diktaturë, Rama arrestoi liderët e opozitës për të grabitur zgjedhjet

Partia Demokratike ka nisur sot turin e takimeve në terren, duke startuar nga Njësia Nr. 9 në kryeqytet. Kryetari i PD-së, Sali Berisha, gjatë bashkëbisedimit me qytetarët dhe strukturat, lëshoi akuza ndaj qeverisë, duke e cilësuar atë si një “diktaturë që ka pranuar pluralizmin vetëm formalisht”.
Fjala e tij u përqendrua në tre shtylla kryesore: kriza demografike, përdorimi i drejtësisë për qëllime politike dhe manipulimi i procesit zgjedhor.
Berisha solli në vëmendje shifrat e lindshmërisë dhe emigrimit, duke fajësuar drejtpërdrejt politikat e qeverisë dhe lidhjet e saj me krimin.
“Nga një komb ndër më të rinjtë në Evropë, sot jemi kombi me lindshmërinë që kishim 100 vite më parë kur ishin 700 mijë banorë. Nga viti 2018, vdekjet dominojnë shumë mbi lindjet. Në këtë trend rrokullisës, brenda disa dekadash do të shkojmë edhe më pak se 500 mijë banorë,” paralajmëroi kreu i PD.
Pjesa më e ashpër e fjalimit iu dedikua goditjes ndaj krerëve të opozitës. Berisha akuzoi Kryeministrin Rama se përdori drejtësinë në vit elektoral për të eliminuar kundërshtarët.
“Për 2 vjet kam deklaruar se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje. Për këto, ai arrestoi në vit elektoral liderët e dy partive kryesore opozitare dhe tjetrin e vuri në ndjekje penale. Kur i arreston në vit elektoral, si persona nën hetim pa asnjë akuzë, kjo do të thotë se i arreston si kundërshtarë politikë për të fituar zgjedhjet,” theksoi Berisha, duke shtuar se proceset janë pa fakte penale.
Lidhur me procesin e fundit zgjedhor, lideri demokrat u shpreh se Rama nuk i fitoi, por i grabiti zgjedhjet. Për të mbështetur këtë, ai citoi gjetjet e raportit ndërkombëtar.
“Organizoi, thotë raporti ndërkombëtar, në periudhën e ndaluar me ligj, 4533 aktivitete. Të gjitha për të ndikuar votën e qytetarëve. Shkeli ligjin kombëtar dhe ndërkombëtar 4533 herë,” tha Berisha.
Në mbyllje, ai vlerësoi qëndresën e demokratëve dhe theksoi se misioni për mbrojtjen e votës u realizua nëpërmjet dokumentimit të manipulimeve në raportet ndërkombëtare, pavarësisht presioneve të ushtruara mbi vëzhguesit.
/rtsh.al/